Reuten: “Vuçiqi po e përdor BE-në si bankomatin e tij”

Bruksel, 6 mars 2023 – Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ka kërkuar nga Komisioni Evropian të shpjegojë politikën e tij ndaj Serbisë, të cilën e quajti “të pakuptueshme”.

Ai ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përdor BE-në “si bankomatin e tij” , ndërsa refuzon ta nënshkruajë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Vuçiq e përdor BE-në si bankomatin e tij dhe më pas kthehet dhe refuzon të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën të propozuar nga BE-ja”, ka shkruar Reuten në Twitter.

Reuten, anëtar i grupit të socialdemokratëve, i ka kërkuar Komisionit Evropian të tregojë se çfarë do të bëjë për ta inkurajuar Serbinë që ta nënshkruajë propozimin e BE-së dhe nëse do t’i pezullojë financat për Serbinë sipas Planit Ekonomik dhe Investimeve derisa Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen dhe të dëshmojë përkushtimin për zbatimin e marrëveshjes.

Reuten ka kujtuar se Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji, më 28 shkurt, ia ka prezantuar Serbisë një paketë të mbështetjes financiare prej 2.2 miliardë eurosh, nga të cilat 600 milionë janë grante. Ai ka thënë se ky është granti më i madh i BE-së për Serbinë deri më tash.

Reuten ka kujtuar gjithashtu se Varheji e ka quajtuar “mike” Serbinë, e cila, siç është shprehur ai, “po bëhet gjithnjë e më autoritare”.

“Po atë mbrëmje, presidenti i Serbisë tha në televizionin kombëtar se nuk dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën gjoja kishte rënë dakord një ditë më pare”, ka theksuar Reuten, në letrën drejtuar Komisionit Evropian.

Eurodeputeti holandez është anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) dhe zëvendës anëtar i delegacionit të BE-së në Komisionin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Serbi.

(r.m.)