Rezart Taçi dërgohet për gjykim për krijim të skemave mashtruese me TVSH

Tiranë, 11 korrik 2024 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten, më 11 korrik, për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të ish-biznesmenin kontrovers të naftës, Rezart Taçin, i dyshuar për veprën penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në.

Sipas organit të akuzës, Taçi e krijoi një skemë mashtrimi me TVSH nëpërmjet transaksioneve fiktive me shoqëritë e krijuara prej tij.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se nga hetimet e filluara në vitin 2018, ka rezultuar se shoqëria ‘Kuid’ shpk ,si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a., i ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi se sa sasia që ka furnizuar realisht, gjatë periudhës Maj-Dhjetor 2013. Kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10 milionë e 399 mijë lekë. Gjithashtu, Taçi akuzohet se me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht për shumën 51.9 milionë lekë.

Sipas prokurorisë, prej kontrollit tatimor të kryer, ka rezultuar se shoqëria “Taçi Oil International Trading and Supply Company” sh.a., nga muaji Maj-Tetor 2013 ka shitur një sasi prej 1 milion e 298 mijë litra karburant të llojit “Diesel” dhe ka faturuar një sasi prej 4 milionë e 591 mijë litrash, me një diferencë më shumë 3 milionë e 292 mijë litra, në vlerë 36.8 milionë lekësh. Ndërsa për llojin e karburantit “Benzinë” ka kryer shitje në sasinë 608 mijë litra dhe ka faturuar 1 milion e 934 mijë litra, me vlerë 15 milionë lekë.

Rezart Taçi po gjykohet aktualisht në Gjykatën e Posçme të Shkallës së Parë, për përfshirje në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre në Shqipëri.

Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimmarrje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor, po të vitit të kaluar.

Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe nga SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë. Atëherë u raportua se si pjesë e këtij operacioni përfundoi në arrest shtëpiak sipërmarrësi 90 vjeçar italian, Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”.

(Reporter.al)