Uashington, 24 gusht 2022 – Janë bërë gjashtë muaj që nga nisja e agresionit rus kundër Ukrainës. Sulmi rus është kthyer në konfliktin më të rëndë të armatosur në Evropë në dekada. Mijëra civilë dhe ushtarë ka të ngjarë të jenë vrarë. Miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi ose janë zhvendosur brenda vendit. Fabrika, spitale, ura, shkolla dhe banesa janë shkatërruar.
Gjashtë muaj nga nisja e sulmit rus në Ukrainë, ish-ambasadori amerikan në NATO, Ivo Daalder, thotë se ukrainasit duken të përkushtuar ta vazhdojnë luftën, jo vetëm për t’i ballë sulmeve ruse, por edhe çlirimin e tërë Ukrainës së pushtuar.
Megjithatë, ajo që nisi para gjashtë muajsh e ndryshoi tërë Evropën.
“Të mos nënvlerësojmë ndryshimin thelbësor psikologjik që ndodhi më 24 shkurt në të gjithë Evropën. Një luftë, që askush nuk e mendonte të mundshme, që askush nuk mendonte se do të ndodhte më në kontinentin evropian, po zhvillohet me një brutalitet, askush nuk mund ta kishte parashikuar”, thotë zoti Daalder.
Kur Rusia nisi sulmin më 24 shkurt, ajo kishte shpresuar ta pushtonte Ukrainën brenda disa ditësh, apo javësh.
Por, gjashtë muaj më pas, tanket e shkatërruara ruse nga ukrainasit, të mbledhura nga fushat e betejës, janë ekspozuar në qendër të Kievit.
Kjo është një paradë shumë e ndryshme e pajisjeve ushtarake nga ajo që kishte planifikuar presidenti rus Vladimir Putin, thotë ish-oficerja e inteligjencës kombëtare amerikane për Rusinë dhe Euroazinë, Angela Stent.
“Rusët prisnin që do të ishin në gjendje të merrnin Kievin, brenda tre ditëve. Dhe ne e dimë se oficerët dhe disa nga ushtarët kishin mbajtur me vete uniformat e tyre ceremoniale që do t’i mbanin në një parade fitoreje nëpër rrugët e Kievit. Ata besuan se do të ishin në gjendje të vendosnin një qeveri kukull”, thotë zonja Stent.
Por, konflikti nuk ka marrë fund as pas gjashtë muajsh duke u kthyer në një luftë shkatrrimtare, pa fund në horizont, dhe me pak suksese në fushën e betejës.
Megjithatë, duket e vështirë që Rusia të humbasë kontrollin e rajoneve që ka vënë nën kontroll deri tani.
Fillimisht forcat ruse arritën me lehtësi deri te periferia e kryeqytetit, Kiev. Por, shumë shpejtë përparimi i autokolonës me tanke ruse u bllokua. Trupat ruse, që ishin bëëë objektiv i lehtë për t’u goditur, u tërhoqën, duke lënë pas një mori civilësh të vrarë.
“Larg nga ajo që e prisnin se Rusia do përshëndetej si çlirimtare, diçka që Moska mendonte se do të ndodhte, ukrainasit ofruan rezistencë të jashtëzakonshme”, vlerëson zoti Daalder.
Ukraina vazhdon të marrë armë nga perëndimi, duke përfshirë artileri të rëndë dhe dronë amerikanë, tanket nga Polonia dhe mjete të tjera të rënda që dërgohen menjëherë në luftim.
“SHBA dhe vendet e tjera të NATO-s e kuptojnë se me trajnimin e duhur, ukrainasit janë shumë efektivë në përdorimin e armëve. Ka pasur shumë kërcënime për atë që do të ndodhë këtë javë. A do të ketë një hakmarrje të madhe ruse? Unë mendoj se Departamenti i Shtetit po paralajmëron amerikanët të largohen nga Ukraina sepse ata janë të shqetësuar për këtë. Fakti që shumës prej 8 miliardë dollarëve amerikan që tani i janë dhënë Ukrainës do i shtohen edhe 3 miliardë dollarë të tjerë, mendoj se është sinjal se sa seriozisht e merr SHBA-ja këtë çështje”, vlerëson zonja Stent.
Të dyja palët po godasin njera tjetrën me artileri. Ukraina duket se po sulmon depot dhe pozicionet kundërshtare në gadishullin e pushtuar të Krimesë, ndërsa forcat ruse vazhdojnë sulmet ndaj qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv.
Kyle Haynes nga Universiteti “Perdue” në Indiana të SHBA-së, nuk pret fund të shpejtë të luftës.
“Rusia beson se mundësia për të kufizuar dërgesat e gazit në Evropë do t’u japë atyre përparësi dhe ndoshta do ta detyrojë NATO-n ta nxisë Ukrainën të pranojë një zgjidhje. Ukraina, nga ana tjetër, mendon se forcat ruse nuk do të duan të luftojnë në dimër, ndërsa forcat ukrainase janë më të motivuara pasi e mbrojnë atdheun e tyre”, thotë zoti Haynes dhe shton: “Pra, unë nuk shoh një fund të kësaj lufte”.
(Zëri i Amerikës)