Prishtinë, 11 gusht 2023 – Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës njoftoi për rifillimin e procesit të aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një postim në rrjetin social në Facebook, komisioni bëri të ditur se afati për paraqitjen e kërkesës për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës do të zgjasë deri më 15 maj 2025.
“Komisioni Qeveritar fton të gjithë personat e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën ligjore për aplikim, duke shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën e palodhshme në procesin e njohjes së statusit të tyre”, thuhet në postimin e komisionit.
Sipas Ligjit për Viktima të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, personat të cilëve u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës përfitojnë pensione mujore dhe benificione të tjera.
(r.m.)