Nga Ruben Avxhiu
Një numër demokratësh amerikanë paguan dje me humbje zgjedhore pakënaqësitë në rritje ndaj administratës së presidentit Joe Biden dhe teprimet e krahut të majtë radikal në kulturë e arsim.
Ndoshta episodi më shokues i mbrëmjes ishte humbja e kandidates për kryebashkiake në Buffalo, New York, ku demokratja India Walton kandidoi e vetme, pa asnjë kundërshtar (republikanët nuk kandiduan) dhe përsëri humbi. Ajo mori 40% të votave, ndërkohë që gati 60% e votuesve i vunë vizën dhe shënuan një emër tjetër në fletëvotimet e tyre.
Sipas ligjit amerikan mund të mbishkruash emrin e dikujt që nuk është në garë. Votuesit që nuk janë me askënd shpesh tallen duke shkruar emra groteskë në fletëvotimet e tyre. Ka gjithmonë humor me emrat që shkruhen por këto mbishkrime zgjedhore janë të pakta në numër dhe pothuajse asnjëherë nuk rrezikojnë fitoren e kandidatëve zyrtarë.
Në këtë rast, dyshohet se mbi 40% e votuesve kanë shkruar emrin e ish-kryetarit të bashkisë në Buffalo, i cili ishte gjithashtu demokrat, por që socialistët e Bernie Sandersit dhe Alexandria Octavia-Cortezit e kishin rrëzuar për të mbështetur India Walton.
“Lufta civile” mes demokratëve në Buffalo besohet se do ta lërë bashkinë përsëri në duart e tyre gjithësesi, por në shumë gara në Virginia, New Jersey, New York, etj, republikanët arritën fitore të rëndësishme në zgjedhje duke përfituar nga përgjigjia popullore kundër krahut radikal të Partisë Demokrate.
Në qendër të vëmendjes ka qenë beteja për guvernator në Virginia. Një shtet ku Biden kishte fituar në 2020 dhe ku demokratët janë shumicë. Të drejtat e prindërve përballë departamenteve të arsimit publik që vendosin për programet mësimore të fëmijëve të tyre u vunë papritur në qendër të kësaj fushate. Tema është mbarëkombëtare në SHBA, por u kthye në fushëbetejë në këtë shtet.
Një pjesë radikale e demokratëve që ka braktisur të majtën klasike në emër të drejtësisë në çështje të racës dhe gjinisë, ka qenë veçanërisht e suksesshme në shndërrimin e programeve mësimore për të luftuar anti-racizimin që në moshat më të njoma. Ndonëse niset nga një synim human dhe pozitiv, nisma e mbështetur në të ashtuquajturën Teoria Kritike e Racës, është akuzuar se po realizon pikërisht të kundërtën thellimin e ndarjes racore në SHBA.
Këto janë tema të ndjeshme për amerikanët, për shkak të të kaluarës së skllavërisë dhe perngesave ndaj afrikano-amerikanëve për t’u integruar në mënyrë të suksesshme në shoqëri. Mirëpo, demokratët, të cilët për më shumë se gjysëm shekulli kanë udhëhequr me sukses përpjekjet për barazinë racore, po kthehen tani mbrapsht në ide që të kujtojnë segregacionin, që imponojnë izolime sipas vijave racore, që i gjykojnë vlerat e njerëzve në bazë të ngjyrës së lëkurës.
Konflikti është tepër i ndërlikuar për t’u shpjeguar në një shkrim të vetëm. Prindërit në mbarë vendin po ankohen dhe akuzojnë se fëmijët në moshë të mitur po u shpjegohet sesi po të jesh i bardhë je racist në mënyrë automatike. Mbrojtësit e kësaj rryme të re në arsim i kanë shpërfillur protestat e prindërve si protesta raciste, por ato kanë ndodhur kudo edhe në lagjet më liberale të Manhattanit.
Cilado që të ketë qenë arsyet e protestës dhe argumentet e të dy palëve, fakti është që votuesit kanë reaguar duke zhvendosur votën drejt republikanëve, në rrethinat e qyteteve që ishin kyçe për suksesin e demokratit Biden në nëntor 2020. Republikani Glenn Youngkin do të jetë tani guvernatori i ri në Virginia.
Një tjetër çështje ishte ajo e vaksinave. Ndonëse që të dy kandidatët bënë thirrje që njerëzit të vaksinoheshin patjetër, kandidati republikan dëshironte që kjo të mbetetj një vendim personal, kurse demokrati mbështeste detyrimin nga shteti për hir të shëndetit publik. Edhe kjo temë kërkon shkrime më vete, sepse liria e njeriut për të caktuar se çfarë hyn në trupin e tij ka në kufi kur sëmundja e njërit mund t’i ngjitet pra imponohet tjetrit. Atëhere vendimi nuk është më personal. Debati i përngjet në mënyrë interesante atij për pirjen e duhanit.
Në New York, demokrati Eric Adams u zgjodh kryebashkiak, por ai nuk ishte asnjë prej 3-4 kandidatëve të preferuar të të majtës radikale. Një ish-oficer policie, Adams u nda nga pjesa më e madhe e udhëheqësve demokratë duke vënë në qendër të fushatës luftën kundër krimit dhe jo luftën kundër policisë që bën abuzime.
New York-u nuk ishte i vetëm në këtë rrymë. Propozimet për mbylljen e departamenteve të policisë u mundën edhe në Minneapolis, Seattle etj, qytete demokratësh ku shënuan humbje për krahun radikal.
Në fakt, në New York, fitoret më të rëndësishme për republikanët dhe një pjesë të demokratëve ishin rrëzimet e propozimeve për të lejuar regjistrimin e votuesve deri në ditën e zgjedhjeve, si dhe lejimin e votimit të plotë nëpërmjet postës. Për krahun e majtë të demokratëve këto ishin të rëndësishme për të drejtën e votës. Por kritikët e tyre këmbëngulën se të dy propozimet ishin platformë për të abuzuar dhe manipuluar me votën. Në fund që të dy propozimet humbën.
Të gërshetuara me dy-tre humbje në gara të tjera lokale, këto mund të kenë qenë arsyeja e dorëheqjes së kreut të Partisë Demokrate të shtetit, menjëherë pas rezultateve të votës.
Në New Jersey, një tjetër shtet me shumicë demokratësh, rezultati i garës për guvernator nuk doli dot as në orët e para të mëngjesit, aq e ngushtë është diferenca. Republikani Jack Ciattarelli kryeson me 49.65% përballë demokratit Phillip Murphy me 49.60%. Nga 2,3 milionë vota të numëruara, diferenca është vetëm 1,200 vota. Një tjetër kujtesë e forcës që mund të marrin komunitete të vogla si ai i shqiptarëve që në New Jersey janë me dhjetëra mijëra, kur vota për guvernatorin e shtetit ndahet vetëm me një mijë vota diferencë.
Guvernatori Murphy priste rizgjedhjen dhe kjo votë e pasigurtë që mund ta rrëzojë është një tjetër humbje për demokratët edhe sikur ai të mos humbasë në fund.
Rëndësia më e madhe e këtyre zgjedhjeve të shkëputuara është se ato shihen si një provim për zgjedhjet masive për Kongresin Amerikan në nëntorin e ardhshëm. Republikanët provuan se një gërshetim i pakënaqësisë ndaj administratës Biden, me teprimet radikale në kulturë dhe arsim si dhe debatet për detyrimet nga shteti në fushën e shëndetësisë mund të prodhojnë një sukses zgjedhor.
Për demokratët, ata do të shpresojnë se këto humbje ishin një rastësi, do të urojnë që pas një viti zhgënjyes, puna e administratës Biden të fillojë të japë ndonjë rezultat më të dukshëm, sidomos në ekonomi, si dhe do të duhet të rishikojnë politikat e tyre në planin kulturor, për të vlerësuar se deri ku ia vlen kostoja zgjedhore e vizionit që synon të shndërrojë në mënyrë rrënjësore shoqërinë amerikane.
Një nga më të gëzuarit e natës së mbrëmshme ishte ish-presidenti Donal Trump, që e pa fitoren e republikanëve si një fitore të tij. Mirëpo, e vërteta është se kandidatët republikanë në Virginia e New Jersey u treguan të kujdesshëm për ta lënë ish-presidentin jashtë garës dhe jashtë debateve. Ishte një vendim i zgjuar. Trump është një lloj gogoli që i bashkon demokratët dhe bezdis ata votues të pavarur që mund ta duan të djathtën, por pa dramën që vjen me manjantin njujorkez. Ndoshta mënyra më e mirë për të fituar edhe në nëntorin e vitit 2022 është që të mos merren me presidencialet e vitit 2020 apo 2024. Dita e djeshme e provoi këtë.