Rohde: Gjermania është mbështetëse e palëkundur e Kosovës

Prishtinë, 3 tetor 2024 – Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Gjermania dhe Kosova kanë marrëdhëniue shumë mira, pavarësisht prej sfidave që janë paraqitur herë pas here.

Në pritjen e organizuar me rastin e festës nacionale gjermane “Dita e Unitetit Gjerman”, Rohde tha se Gjermania e mbështet Kosovën në rrugën e intergrimit në Bashkimin Evropian.

“Miqësia jonë me Kosovën si të gjitha marrëdhëniet janë përballur ose janë ballafaquar me sfida. Por midis miqve, ndershmëria, dialogu i hapur dhe gatishmëria për të pranuar këshilla janë themelet e forcës së vërtetë. Gjermania dhe Kosova ndajnë marrëdhënie të ndërtuara mbi besimin dhe respektin, dhe besimi se përmes shkëmbimit të hapur ne gjithmonë mund të gjejmë një rrugë përpara, një rrugë që për ne mund të rezultojë vetëm në integrimin e plotë euro-atlantik të Kosovës”, tha ai.

Rohde tha se marrëdhënia midis Gjermanisë e Kosovës nuk është vetëm marrëdhënie midis dy qeverive, por një marrëdhënie e rrënjosur thellë midis dy popujve.

“Gjermania është shtëpia e diasporës më të madhe kosovare në mbarë botën me afro 600 mijë anëtarë dhe po rritet më tej, dhe ne kemi qenë të lidhur prej kohësh përmes kulturës dhe miqësisë familjare…”, tha ai.

Ambasadori Rohde tha se Gjermania është mbështetëse e palëkundur e Kosovës.

“Në angazhimin tonë 25-vjeçar, ne kemi qëndruar në krah të Kosovës në momente sfidash dhe mundësish. Vitin e kaluar ne e kemi shtuar kontingjentin tonë brenda KFOR-it, duke sjellë më shumë ushtarë gjermanë, për të kontribuar për paqen dhe sigurinë e Kosovës. Kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në Kosovë dhe në mbarë rajonin. Ne gjithashtu festojmë 25 vjet të bashkëpunimit ekonomik midis kombeve tona”, tha ai.

Ambasadori Rohde foli edhe për samitin e radhës të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 14. Ai ha se në vendin e tij po punohet shumë që ky samit të jetë një moment suksesi për Kosovën dhe për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëroi se ky samit do të fokusohet në funksionalizimin e plotë të marrëveshjes së CEFTA-s.

“Kur flasim për Procesin e Berlinit, i cili është inicuar para 10 vjetësh, ne kemi punuar shumë që në samitin e ardhshëm, më 14 tetor, ta arrijmë sukses për Kosovën dhe për gjithë rajonin, duke u fokusuar në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s dhe në mundësimin e tregtisë së vërtetë të lirë në rajon”, u shpreh ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ia uroi ambasadorit Rohde “Ditën e Unitetit Gjerman”,  tha se shembulli i Germanisë është më shumë se një frymëzim për Kosovën.

“Për ne në Kosovë, shembulli juaj është më shumë se një frymëzim, është gjithashtu një ëndërr për t’i kapërcyer sfidat dhe kufizimet tona dhe për të marrë vendin tonë në klubin e prodhuesve të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Që kjo ëndërr të realizohet, mbështetja juaj e palëkundur ishte, është dhe do të jetë e një rëndësie vendimtare. Në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të shtetit, Gjermania ka qenë një aleat i palëkundur. Mbështetja juaj ka qenë thelbësore në forcimin e institucioneve tona, avancimin e ekonomisë dhe nxitjen e zhvillimit social. Kujtojmë mirënjohjen e thellë, rolin vendimtar që Gjermania luajti në mbështetjen e aspiratës së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ne e vlerësojmë shumë kontributin e Gjermanisë në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, arsimi, siguria dhe shkëmbimi kulturor. Kosova po aspiron për integrim shtesë dhe më të fuqishëm në institucionet, organizatat dhe platformat rajonale dhe ndërkombëtare. Ne aspirojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare. Ne kemi besim se me mbështetjen e Gjermanisë dhe aleatëve tanë të tjerë kyç kjo do të bëhet një histori suksesi”, tha Bislimi.

Në pritjen e organizuar në “Ditën e Unitetit Gjerman” morën pjesë edhe liderë opozitarë dhe kori diplomatik në Kosovë.

(r.m.)