Rohde: Në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja, por individët që akuzohen për krime lufte

Prishtinë, 3 prill 2023 – Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar lidhur me masnifestimin e solidaritetit me ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “Marshi për drejtësi”, që u mbajt të dielën në Prishtinë.

Në një postim në Twitter, ai ka thënë se në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por disa individë që akuzohen për krime të rënda lufte.

Rohde ka theksuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë mbështetjen e plotë të vendit të tij.

“E drejta për të demonstruar është thelbësore në çdo demokraci, dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë. Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte/krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe tortura. Drejtësia për viktimat mbetet e rëndësishme – pa mosndëshkim për askënd. Dhomat e Specializuara e kanë mbështetjen e plotë”, është shprehur ai.

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot filloi procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

(r.m.)