Prishtinë, 10 prill 2025 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka njoftuar se dje (e mërkurë) është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në njoftimin e postuar në platformën “BlueSky”, ambasadori Rohde ka bërë të ditur se Gjermania po vazhdon përpjekjet për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës.
“Faleminderit për takimin produktiv Kryeministër! Theksova edhe një herë përpjekjet e vazhdueshme të Gjermanisë për të hequr sa më shpejt masat kundër Kosovës. Theksova gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së shpejtë të kryetarit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re”, ka shkruar Rohde.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 15 prill. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka paralajmëruar se po atë ditë do të hidhet në votim edhe qeveria e re, e cila do të udhëhiqet prej tij.
Por, deri më sot nuk është e qartë nëse Vetëvendosje do të arrijë t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re.
(r.m.)