Nga Frank Shkreli
Kështu deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama të Premten që kaloi pas bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit Hamid Karzai mbi të ardhmen e rolit amerikan në Afganistan, duke thënë se forcat amerikane së shpejti do t’ua dorëzojnë forcave afgane rolin kryesor të luftës kundër talebanëve. Presidenti Obama tha se në bazë të marrëveshjes që u arrijtë gjatë bisedimeve të presidentit afgan në Uashington — përfshirë takimet që ai zhvilloi në Pentagon dhe në Stejt Department — gjatë këtij viti forcat afgane do të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vendin e tyre — duke e shndërruar rolin ushtarak amerikan në një rol mbështetës këtë pranverë, para afatit që pritej — ndërkohë që po merr fund lufta në Afganistan.
Presidenti Obama tha se ”ky përparim është bërë i mundur falë sakrificave të mëdha të forcave tona dhe të diplomatëve tanë, si edhe të forcave të vendeve të shumëta të koalicionit ndërkombëtar, por edhe popullit afgan i cili ka vuajtur aq shumë”, shtoi Presidenti Obama. Ai tha se në luftën e Afganistanit, ”kanë dhënë jetën më shumë se 2000 bijë e bija të Amerikës”, duke shtuar se, ”Këta janë patriotë të cilët ne i nderojmë sot, nesër dhe përgjithmonë.” Edhe Presidenti afgan Karzai tha se, ”gjatë bisedimeve….unë falenderova Presidentin Obama për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë popullit afgan, për të gjitha ato që kemi arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara…”
Udhëheqsi afgan tha gjithashtu se “Forcat ndërkombëtare, forcat amerikane nuk do të jenë më të pranishme në fshatrat afgane, se tani është detyra e forcave afgane që popullit afgan t’i sigurohet paqëja dhe siguria.’’
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama dha hollësi të tjera në lidhje me bisedimet me udhëheqsin afgan, duke thënë se objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara, që fillimisht e çoi vendin në luftën e Afganistanit është drejtë realizimit, dmth, qëllimi amerikan që Al Kaida të mos e përdorë më Afganistanin si një bazë nga ku organizon dhe kryen sulme kundër Shteteve të Bashkuara, do të arrihet dhe lufta në atë vend, sipas Presidentit Obama, do të marrë fund në mbarim të vitit të ardhëshëm. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama tha se megjithëse misjoni amerikan në Afganistan mbetet gjithnjë shumë i vështirë, ai shtoi se tani duhet të përqëndrohemi në detyrën që kemi përpara dhe në ”misjonet e vështira”, siç tha ai, për ri-ndërtimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar forcat tona ushtarake dhe veterantë tanë trima, duke thënë se ”vendi që ne duhet të rindërtojmë tani, është vendi ynë.”
Deklarata e Presidentit Obama për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani aty nga mbarimi i vitit 2014, shihet me skepticizëm nga disa vërejtës politikë dhe ushtarakë si edhe nga disa media amerikane, duke thënë se tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Afganistani mund të rrezikojë arritjet e deritanishme në atë vend, pasi forcat ushtarake afgane nuk janë ende në gjëndje të luftojnë talebanët, ndërkohë që dhuna vazhdon në shumë pjesë të atij vendi.
Gazeta amerikane Nju Jork Tajms, në një editorial në lidhje me bisedimet amerikano-afgane në Washington midis Presidentit Obama dhe udhëheqsit afgan Karzai, shkruan se “Plani amerikan për t’i dhënë fund luftës varet shumë nga aftësia e forcave afgane për të siguruar vendin. Zoti Obama e ekzagjeroi përmirësimin e situatatës në Afganistan dhe anashkaloi mangësitë serioze të sigurimit në atë vend. Por ai me të drejtë zvogëloi rolin dhe objektivat amerikane në Afganistan. Dhe tani ai duhet të tërheqë sa më parë që të jetë e mundur 66,000 ushtarët nga ai vend’’, përfundon editorialin gazeta Nju Jork Tajms.