“Rotary International” mundëson operimin jashtë vendit të 100 fëmijëve me probleme të zemrës

Prishtinë, 1 shkurt 2022 – Presidenti i “Rotary International”, Shekhar Mehta, ka deklaruar të maretën në Prishtinë se 100 fëmijë nga Kosova me sëmundje të zemrës do të kenë mundësi të operohen në Indi. Ai ka thënë se “Rotary International” është e gatshme të ndërtojë në Kosovë spitale të syve dhe qendra për dializë, nëse ofrohen hapësira nga shteti.

“Sot kisha kënaqësinë t’i ofroj vendit tuaj, autoriteteve tuaja, një dhuratë nga ‘Rotary International’. Do të bëjmë operimin në zemër të 100 fëmijëve nga Kosova në Indi, nëse kjo është e mundur, ose në ndonjë vend tjetër, pa pagesë. Po ashtu kemi ofruar të ndërtojmë spitale për sy, qendra për dializë. Nëse  hapësira na ofrohet nga shteti ne do t’i sjellim pajisjet, do t’i mobilojmë dhe, po ashtu, mund t’i udhëheqim këto programe. Për operime në zemër jemi në gjendje të sjellim këtu mjekë nga vende të tjera të botës që të kryejnë operacionet apo mjekët e këtushëm do të mund të shkojnë në vende të tjera të botës për të ngritur aftësitë e tyre profesionale”, ka thënë Mehta, në një konferencë shtypi në Prishtinë.

Ai ka thënë se operacionet mund të fillojnë qysh nga java e ardhshme, në rast se India do të mundësojë udhëtimin e tyre me pasaporta të Kosovës ose me leje të veçanta.

“E kam kuptuar rishtazi që pasaporta e Kosovës nuk pranohet në Indi. Unë do të tentoj të marrim leje të posaçme, por ky është një vendim politik dhe diplomatik. Nëse ndodh kjo, atëherë fëmijët mund të vijnë prej javës së ardhshme, sepse ne i kemi fondet, i kemi mjekët. Mirëpo, nëse kjo (udhëtimi pa pasaporta) nuk mund të ndodhë atëherë mund të marr pak kohë derisa të gjejmë se ku mund të shkojnë këta fëmijë për operime”, ka deklaruar Mehta.

Ai ka prezantuar edhe programet në fushën e edukimit. Me këtë rast ka shprehur gatishmërinë për ofrimin e përmbajtjeve digjitale për mësim në distancë.

Mehta ka thënë se shumë shpejt pritet të formohet distrikti i “Rotary International” Kosovë-Shqipëri.

Presidenti i “Rotary International”, Shekhar Mehta, është pritur në Prishtinë nga Preësidentja e Kosdovës, Vjosa Osmani, dhe nga Kryeministri Albin Kurti

 (r.m.)