Rrëfimi i Valentina Djelajt, viktimë e dhunës familjare

 

Në vitin 2008 një incident i rëndë tronditi qytetin e Detroitit në Miçigan, kur një burrë shqiptar vrau gruan e tij dhe pastaj kreu vetëvrasje. Çifti Djelaj la pas katër fëmijë. Vajza e tyre Valentina Djelaj, tregon për Zërin e Amerikës se çfarë e ndihmoi të ngrihet dhe vazhdojë jetën. Sot ajo është një zë i fuqishëm për të gjitha viktimat e dhunës familjare.

Valentina Djelaj lindi në periferi të Detroitit nga dy prindër shqiptarë, që kishin emigruar drejt Shteteve të Bashkuara nga Malësia e Malit të Zi.

Ajo thotë se babai dhe nëna e saj punonin shumë, që katër fëmijëve t’u ofronin një jetë të mirë dhe mundësi për shkollim.

Por familja kishte dhe një anë të errët, që nuk e lejuan Valentinën të kishte një fëmijëri normale.

Ajo ishte dëshmitare e dhunës së vazhdueshme fizike të babait ndaj të ëmës. Për t’iu shmangur këtij realiteti në shtëpi, ajo zhytej në mësime.

Sot, si punonjëse e sistemit shëndetësor në Detroit dhe aktiviste kundër dhunës në familje, zonja Djelaj e shikon burimin e dhunës në familjen e saj tek mendësia patriarkale e një familjeje konservatore shqiptare, që ndërsa përpiqej të ruante traditat, ngadalë po asimilohej drejt kulturës perëndimore.

“Babai im, kishte abuzuar fizikisht dhe emocionalisht me nënën gjatë gjithë jetës.Në atë kohë nuk e kuptoja, nëse ishte pjesë e kulturës sime, kishte lidhje me Amerikën apo çfarë ishte? Isha shumë e hutuar si fëmijë. Kur u rrita e kuptova, që kjo ishte dhunë familjare dhe se nuk ndodhte vetëm në familjen time. Ndërsa rritesha, abuzimi fizik dhe psiqik ishte më i dukshëm. Kishte raste kur nëna ime përfundonte në spital, ndërsa babai në burg”, thotë për Zërin e Amerikës viktima e dhunës familjare, që sot është aktiviste për këtë çështje, Valentina Djelaj.

Pas 23 vitesh martesë, nëna e Valentinës vendosi t’u japë fund vuajtjeve duke u larguar nga shtëpia dhe duke kërkuar divorcin nga partneriabuzues.

Por liria iu mohua gjashtë muaj pas këtij vendimi, më 19 mars 2008, kur bashkëshorti Djerdjo Djelaj në atë kohë 47 vjeç, vrau Maria Djelajn 38 vjeçe në vend-parkimin e një kishe në qytezën Shelby pranë Detroitit dhe pastaj kreu vetëvrasje.

“Dhuna familjare nuk diskriminon. Ajo ndodh në çdo kulturë, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të botës je. Ka të bëjë me pushtetin dhe të qenit në kontroll. Besoj se ajo që e nxiti këtë ishte ndarja e nënës sime nga babai gjashtë muaj para se të ndodhte vrasja. Gjatë asaj kohe babai im kaloi në depresion dhe ishte i zemëruar, sepse humbi pushtetin dhe kontrollin. Për fat të keq, nuk u befasova nga ajo që ndodhi”, tregon ajo.

Valentina fajëson edhe hallkat e zinxhirit të sistemit, që duhet t’i kishte ofruar mbrojtjen e duhur nënës së saj.

“Për fat të keq sistemi në përgjithësi dështoi në rastin e nënës sime. Gjyqtarët dështuan. Dështuan njerëzit që nuk e besuan dhe vazhdojnë të dështojnë gjithandej në botë. Edhe kur nëna ime ndërroi jetë, në vend të ngushëllimeve, kishte njerëz që më pyesnin, se çfarë kishte bërë nëna ime, që të meritonte këtë? Të jem e sinqertë, në atë kohë nuk dija si të përgjigjesha. Më lëndonte. Por ajo që ndodhi pastaj, më rriti dhe më motivoi për të punuar si aktiviste, që njerëzit të kuptojnë se askush nuk meriton t’i nënshtrohet dhunës familjare dhe aq më pak të vritet”, shton aktivistja.

Valentina ishte vetëm 18 vjeçare dhe sa kishte filluar studimet në Universitetin e Miçiganit.

“Nuk isha gati për atë përfundim. Por prapë arritëm që si familje të ecnim përpara, të planifikojmë funeralet, të varrosnim prindërit tanë, dhe t’i shpjegoj motrës së vogël, e cila ishte tetë vjeçe në atë kohë, se çfarë kishte ndodhur. Por sinqerisht është shumë e vështirë t’ia shpjegoje një fëmije të vogël, që jo vetëm njëri, por dy prindërit e saj nuk jetojnë më, në një kohë kur dhuna familjare është e parandalueshme”.

Sot Valentina është një grua e arsimuar dhe e pavarur, por edhe një zë i fuqishëm për të gjitha viktimat e dhunës familjare dhe seksuale në botë.

Në fokus të punës së saj është edhe pozita e grave shqiptare.

“Duhet të flasim për këtë dukuri si komunitet, ose në të kundërtën, do të vazhdojmë të humbasim shqiptarë. Dhe kjo nuk është ajo çfarë duam. Nëse vrasim një grua, kemi vrarë shumë njerëz, dhe po lëndojmë dhe thyejmë shumë të tjerë. Po lëndojmë fëmijët, po copëtojmë familjet”.

Megjithatë, aktivistja shprehet optimiste, se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

“Duke parë gratë në poste të larta politike, numrin në rritje të grave të arsimuara, shtimin e grave sipërmarrëse, besoj se po lëvizim në drejtimin e duhur. Dhe po shoh shumë burra, qofshin shqiptarë, apo nga kultura tjera, që po mbështesin gratë. Kjo është diçka e bukur, shumë hapa në drejtimin e duhur”.

Një burrë si ky Valentina thotë se e ka në krah. Ajo shton se martesa nuk ishte një vendim i vështirë, pavarësisht asaj që ajo kishte përjetuar si fëmijë.

“Thjesht rashë në dashuri. Jam martuar me një italiano-amerikan me të cilin jemi në një marrëdhënie të bukur dhe të shëndetshme. Martesa nuk është e frikshme, kur e di se po trajtohesh në mënyrë të barabartë. Ndjen dashurinë dhe mbështetjen. Nuk ndjehesh e braktisur. Nuk ka abuzim emocional dhe psiqik. Nuk do të gënjej, nuk e kam pritur kështu. Por rashë kokë e këmbë në dashuri, diçka shumë e bukur dhe jam e lumtur në martesë”, përfundon zonja Djelaj për Zërin e Amerikës.

Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se dhuna ndaj grave është dukuri alarmante, pasi 1 në 3 gra në botë, rreth 736 milionë, gjatë gjithë jetës së tyre përjetojnë dhunë fizike ose seksuale nga partneri, ose dhunë seksuale nga një i huaj.

OBSH njofton se dhuna fillon që në moshë të re, ku 1 në 4 gra që janë në një marrëdhënie, përjetojnë dhunë nga partneri kur arrijnë në mesin e viteve 20.

(Zëri i Amerikës)