Uashington, 28 dhjetor 2021 – Zyrtarët amerikanë përgjysmuan kohën që personat e infektuar me Covid, por pa simptoma, duhet të izolohen, nga 10 ditë në pesë.
Sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) ndryshimi përputhet me të dhënat e reja se personat me Covid e transmetojnë më së shumti virusin dy ditë para shfaqjes së simptomave, dhe tre ditë pas tyre. Udhëzimet e reja dalin në një kohë që janë shtuar së tepërmi rastet me Covid si rezultat i variantit të ri Omicron.
Studimet e para tregojnë se Omicron shkakton sëmundje më të lehtë se variantet e mëparshme, por numri i madh i të infektuarve të rinj, që duhet të vetë-izolohen, rrezikon të mbyllë spitalet, linjat ajrore, ose bizneset e tjera.
Sipas CDC-së, Shtetet e Bashkuara pritet të kenë një numër të lartë rastesh me Omicron. Por “rastet nuk pritet të jenë të rënda dhe shumë prej të infektuarve mund të mos kenë fare simptoma”, thotë drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky.
Ndryshimi i udhëzimeve është për personat pa simptoma. Ata që kanë simptoma gjatë vetë-izolimit, duhet të vazhdojnë të qendrojnë në shtëpi.
Sipas udhëzimeve, pas izolimit 5 ditor, nëse simptomat janë zhdukur, personi i infektuar mund të rikthehet në aktivitetet normale, por duhet të mbajë maskë edhe për 5 ditë të tjera. Nëse pas 5 ditësh izolimi, simptomat vazhdojnë, duhet të qëndroni në shtëpi derisa të jeni pa simptoma.
Udhëzimet e reja kanë shkaktuar konfuzion pasi ato po ndodhin kur janë shtuar rastet e personave që testojnë pozitivë për herë të parë dhe ata duan të dinë se çfarë të bëjnë, thotë Lindsay Wiley, eksperte e shëndetit publik.
(Zëri i Amerikës)