Mbi 300 shtetas të Kosovës janë bllokuar nga autoritetet serbe në kufi me Kroacinë

Prishtinë, 17 prill 2024 – Qindra shtetas të Kosovës janë bllokuar nga autoritetet e Serbisë në vendkalimin kufitar me Kroacinë, në Batrovci. Udhëtarëve, të cilët po udhëtonin me dhjetë autobusë me regjistrim të Kosovës, u janë bllokuar pasaportat dhe nuk po lejohen të vazhdojnë udhëtimin.

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka thënë se në dalje nga Serbia janë bllokuar mbi 300 shtetas të Kosovës që po udhëtonin me autobusë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në fotografitë e publikuara nga vendi i ngjarjes shihen së paku 6 autobusë të ndaluar pranë vendkalimit kufitar.

Valdet Hoxha, pronar i Kompanisë “Teuta Tours”, ka treguar se 30 udhëtarët e autobusit të kompanisë së tij që po udhëtonin për në Slloveni janë ndaluar në Batrovci, të martën në orën 23:00, ndërsa autoritetet serbe u kanë thënë se kjo është bërë me një “urdhër nga lart”.

“Po presim në pikëkalimin kufitar Batrovc. Na i kanë marrë dokumentet e tash po presim. Prej orës 22:30, mbrëmë natën, jemi duke pritur këtu. Shkojmë pyesim, por nuk na japin shpjegim. Na thonë që u ka ardhur urdhër prej lart. Po presim çka po thonë”, ka thënë ai për Telegrafin.

“Kështu po sillen mirë, nuk është se po na bëjnë diçka. Vetëm po thonë ‘kemi urdhër’, ka shtuar Hoxha.

This image has an empty alt attribute; its file name is Autobuse-te-Kosoves-ne-vendkalimin-kufitar-Serbi-Kroaci-ne-Batrovci.jpg

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, e ka cilësuar këtë si akt nervozimi dhe hakmarrjeje për votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

Ai ka thënë se kjo është shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me konventat ndërkombëtare.

“… është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, ka shkruar Haxholli.

Ai ka thënë se është në pritje të përcjelljes së autoriteteve kompetente serbe për të shkuar në vendin e ngjarjes.

“Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtoj drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka shkruar Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli. 

Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Ministrave, më 16 maj.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që ky vendim të mos miratohet nga ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës.

(r.m.)