Rreth Trump-it të përbashkuar…

Nga Ruben Avxhiu

Mbrëmë, rivalët e ish-Presidentit Donald Trump, në betejën e shkurtër të primareve republikane dolën njëri-pas-tjetrit në tribunën e Konventës Kombëtare për ta mbështetur si kandidat në zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit.
Është normale që në politikën amerikane, pasi çfarë nuk është thënë gjatë garës brendapartiake, ish-rivalët bashkohen dhe mbështesin fituesit, për të siguruar bashkimin e partisë në një front në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndoshta ishte më pak e pritshme nga Ambasadorja Niki Haley, e cila ishte betuar shumë herë se nuk do ta mbështeste kurrë një kandidat si Donald Trump. I vetmi mbase që e ka mbajtur premtimin dhe nuk është dukur andej nga Konventa është ish-guvernatori nga New Jersey, Chris Christie, i cili zgjodhi po atë ditë gazetën “The New York Times”, për të shkruan një opinion, në të cilin i kërkon ish-Presidentit Trump që në fjalimin e tij kryesor ditën e enjte kur të pranojë emërimin si Kandidat për President, të bëjë një përpjekje për ta bashkuar Kombin e jo të thellojë më shumë përçarjen me urrejtje ndaj Administratës Biden.
Tradita është një arsye e rëndësishme se pse ish-rivalët u bashkuan rreth Trump-it për sprintin e fundit të garës presidenciale. Një arsye tjetër është se shumë votime dhe anketime kanë dëshmuar se Trump mbizotëron si lider në Partinë Republikane. Megjithë një pjesë e madhe e elitës së partisë dhe shumë veteranë të kohës së Reaganit e përçmojnë si një demagog populist, një egocentrik të sëmurë, ai ka arritur të fitojë zemrat e miliona amerikanëve. Shumë prej këtyre të fundit, janë votues të rinj të Partisë Republikane. Klasë punëtore, nga zonat dikur të famshme apo famëkeqe, për miniera e fabrika, për uzina që sot kanë ikur përgjithmonë në Kinë, Indi e vende ku ende mund të punësosh njerëz me rroga të ulëta e pa sigurim shëndetësor. Këta miliona amerikanë dikur votues tradicionalë të Partisë Demokrate, kanë ndërruar krah. Disa udhëheqës të njohur republikanë në Kongres që guxuan të kundërshtojnë hapur ish-Presidentin, ose janë tërhequr nga politika ose janë ndëshkuar me vonë nga masa republikane.
Mbi të gjitha, Donald Trump është në pikën më të suksesshme politike të tij që prej fillimit të fushatës presidenciale.
Vetëm pak javë më parë, nuk ishte kështu. Dukej se ishte një mister rezultati i zgjedhjeve. Një opinion mbizotërues ka qenë se në fund, Demokratët do ta gjenin mënyrën për të mobilizuar miliona njerëz ose do të organizonin e dirigjonin votën masive për ta mundur ish-Presidentin ashtu si në 2020. Shpallja fajtor në gjyq për dhjetëra akuza, me një datë vendimi gjyqi që mund ta dënonte me burg, pikërisht tani në korrik, e bënte garën të komplikuar.
Mirëpo, së pari erdhi debati presidencial, ku Demokratët dhe të Pavarurit u shokuan nga rënia fizike dhe mendore e Presidentit Joe Biden. Mosha e tij ka qenë gjithmonë një shqetësim por ka njerëz në atë moshë që ende janë të shkathët nga mendja dhe nga goja. Biden ishte i mpirë, konfuz, e thellësisht zhgënjyes. Që atëhere ka plasur mes Demokratëve debate nëse duhet të ndërrojnë kandidat në Konventën e tyre Kombëtare. Presidenti Biden refuzon, megjithë presionin në rritje. Të tjerë, druhen se është tepër vonë për ta prezantuar si duhet një kandidat të ri përpara popullit amerikan. Për të mos thënë pastaj se Partia Demokratike është tepër e frakturuar si çdo parti e një përmase të tillë dhe prandaj zgjedhja e një kandidati bëhet përgjatë primareve, jo në pak ditë që ka Konventa.
Më pas erdhi atentati i dështuar. Amerikanët nuk i rezistojnë dot një akti sfidues. Të rritur me filmat e Hollivudit, ku heroi rri në këmbë kurse plumbat nuk e vrasin dot ngaqë ka rolin kryesor, një shembull si ai kur Donald Trump, ndonëse i gjakosur, zgjaste kokën dhe grushtin mbi badigardët e tij dhe bërtiste: “Luftoni! Luftoni! Luftoni!” është intoksikuese për publikun amerikan.
Të nesërmen disa anketime e nxirrnin 61% me 31% mundësinë e fitores së tij në zgjedhje, jo vetëm kundër Presidenti Biden, por kujtdo kandidati demokrat.
Më pas erdhi vendimi i gjykatësit federal në Florida që e hodhi poshtë komplet hetimin disa-vjeçar të prokurorit Jack Smith për abuzim me dokumnetet e klasifikuara. Prokurori Smith është ai që arrestoi Hashim Thaçin megjithëse nuk e kishte padinë gati, vetëm që të mos e linte të udhëtonte për në Washington, për të firmosur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti Trump. Dështimi i tij në SHBA ishte një fitore e madhe në kohën e duhur për Trump-in në betejat e tij të pafundme ligjore.
Të gjitha këto e të tjera, mund ta kthejnë imazhin e tij nga një keqbërës i pashërueshëm e që ëndërron të jetë diktator, si e shohin Demokratët, në atë të rebelit kokëfortë që përndiqet pa të drejtë nga sistemi, të cilin kundërshtarët pasi nuk arritën ta trembin e burgosin, tani u përpoqën të vrisnin.
Trump mund të jetë po aq banal sa të gjithë politikanët e botës. Por fushatat janë lojëra me imazhe, narrativa dhe emocione, kështu që për momentin një pjesë e madhe e amerikanëve janë të tmerruar nga frika e diktaturës që po vjen, kurse një pjesë tjetër besojnë se dita e lirisë dhe drejtësisë më në fund po vjen.
Për fatin e mirë të Demokratëve, data e zgjedhjeve, ndonëse po afrohet është ende larg. Ka akoma kohë për të ndryshuar diçka, apo për Trump që të bëjë vetë ndonjë gjë vetëdmtuese, apo edhe që gjëra të tjera të rrëmbejnë vëmendjen dhe emocionet e amerikanëve, duke e harruar disi tmerrin apo spektaklin e atentatit.
Për momentin – “ama” – Trump është në krye. Frika nga makina mobilizuese e Demokratëve është zhdukur. Fitorja nuk ka qenë më e kapshme se sot. Ndaj Republikanët e mbledhur në Konventën Kombëtare janë të bindur se po zyrtarizojnë Presidentin e ardhshëm dhe të padiskutueshëm të Shteteve të Bashkuara. Atë që ka jetuar tashmë për katër vjet në Shtëpinë e Bardhë, idhulin e tyre, Donald Trump.