Rrezikoj të humbas afatin e fundit për dorëzimin e dokumentave të kontrollit mjekësor për green card

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesit:

Dy vjet më parë, aplikova për green card. Më erdhi një letër që më thoshte se duhej të paraqisja një raport nga një mjek i emigracionit. Kur shkova te mjeku, mora vesh që duhet të bëja një vaksinë kundër COVID-19-ës. Doktori më tha se duhej të bëja dy doza. E kam marrë të parën, por afati për dërgimin me postë të dokumentave të kontrollit mjekësor, mbaron përpara se të mund të marr dozën e dytë. A ka ndonjë gjë që mund të bëj që të marr green card-ën?

Anonim 

Pra, keni marrë një kërkesë nga emigracioni (RFE) për të paraqitur prova të mëtejshme në mbështetje të aplikimit që keni bërë për green card. Nuk do të jetë problem, sa kohë që këtë gjë e kryeni përpara datës 23 mars, 2023.  

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të SHBA-së (USCIS-i) kërkon që të gjithë aplikantët të cilët i nënshtrohen kontrollit mjekësor të emigracionit, të kenë kryer serinë e vaksinimeve kundër COVID-19-ës përpara se mjeku i autorizuar nga emigracioni (civil surgeon) të përfundojë kontrollin mjekësor të emigracionit si dhe të nënshkruajë Formularin I-693, Report of Medical Examination and Vaccination Record.

USCIS po tregon fleksibilitet të mëtejshëm duke shtyrë deri më 23 mars, 2023, disa afate që kanë të bëjnë me COVID-19-ën. Sipas këtyre shtyrjeve, USCIS-i, përpara se të ndërmarrë ndonjë veprim, do të marrë në konsideratë përgjigjet e marra brenda 60 ditëve kalendarike pas afatit të specifikuar në kërkesat ose njoftimet e mëposhtme, sa kohë që kërkesa ose njoftimi në fjalë është lëshuar në periudhën ndërmjet 1 marsit, 2020 dhe 23 marsit, 2023. Këtu përfshihen:

Requests for Evidence (RFE);

Continuations to Request Evidence (N-14);

Notices of Intent to Deny;

Notices of Intent to Revoke;

Notices of Intent to Rescind;

Notices of Intent to Terminate regional centers;

Notices of Intent to Withdraw Temporary Protected Status; dhe

Motions to Reopen an N-400 Pursuant to 8 CFR 335.5, Receipt of Derogatory Information After Grant.

Gjithashtu, USCIS-i do të marrë në konsideratën kërkesën për apel, Formulari I-290B, Notice of Appeal or Motion, ose Formularin N-336, Request for a Hearing on a Decision in Naturalization Proceedings (siç parashikon seksioni 336 i ligjeve të Emigracionit), nëse: kërkesa në fjalë është dorëzuar brenda 90 ditëve nga lëshimi i vendimit; dhe ai vendim u mor nga USCIS-i në periudhën ndërmjet 1 nëntorit, 2021 dhe 23 marsit, 2023 (përfshirë këtu dhe këto dy data).

USCIS-i parashikon që, gjithnjë nëse nuk do të ketë më ndryshime për shkak të pandemisë, kjo do të jetë shtyrja e fundit që do t’u bëhet afateve, për t’u ardhur në ndihmë aplikantëve; këtyre të fundit do t’u duhet të përmbushin të gjitha kërkesat për të kthyer përgjigje, brenda afateve të caktuara siç janë specifikuar në kërkesat apo njoftimet që do të lëshohen pas datës 23 mars, 2023.

Fleksibilitet nga ana e USCIS-it lidhur me kërkesat për nënshkrim

Më 13 mars 2020, USCIS njoftoi se do të pranonte përkohësisht të gjitha formularët dhe dokumentet me nënshkrime origjinale të riprodhuara. Kjo u bë fillimisht për shkak të pandemisë së COVID-19-ës. Tani, është vendosur që kjo praktikë të jetë e përhershme, që do të thotë që një dokument mund të skanohet, dërgohet me faks, fotokopjohet ose riprodhohet në mënyrë të ngjashme, me kusht që kopja të jetë e një dokumenti origjinal që përmban nënshkrimin origjinal të shkruar me dorë; bëjnë përjashtim rastet kur kërkohet në mënyrë të specifikuar që të veprohet ndryshe. Për formularët, ku sipas udhëzimeve përkatëse, kërkohet nënshkrimi origjinal “i njomë”, USCIS-i do të pranojë nënshkrime origjinale të riprodhuara në mënyrë elektronike. Ky ndryshim i përkohshëm vlen vetëm për nënshkrimet. Të gjitha udhëzimet e tjera që përmban formulari që po mbushni, duhet të vazhdojnë të ndiqen siç e kërkon formulari.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]