Moskë, 20 gusht 2023 – Anija kozmike e Rusisë “Luna-25” është rrëzuar në sipërfaqen e Hënës, më 20 gusht, pasi e kishte humbur kontrollin, njoftoi Agjencia ruse e Hapësirës, Roskosmos.
Ajo pritej të zbarkonte në polin jugor të Hënës, por dështoi pasi hasi në telashe derisa po lëvizte në orbitën e parazarkimit.
Ky ishte misioni i parë i Rusisë në Hënë në 47 vjetët e fundit.
Anija kozmike ishte paraparë të zbarkonte të hënën për ta eksploruar një pjesë të Hënës, për të cilën shkencëtarët mendojnë se mund të përmbajë uji të ngrirë dhe elemente të çmuara.
Roskosmos theksoi të dielën se i kishte humbur të gjitha kontaktet me anijen kozmike të shtunën pasdite.
“Mjeti lëvizi në një orbitë të paparashikuar dhe u shua si pasojë e përplasjes në sipërfaqen e Hënës”, tha Roskosmos në një komunikatë për media më 20 gusht.
Të shtunën, anija kozmike e përjetoi një “situatë të pazakontë” derisa po përgatitej për t’u futur në orbitën e parazbarkimit, para uljes së paraparë në sipërfaqen hënore më 21 gusht.
Sipas mediave ruse, zyrtarët e Hapësirës mbajtën një takim emergjent gjatë natës së 19-20 gushtit, në përpjekje për ta shpëtuar misionin.
“Luna-25” u fut në orbitën hënorë më 16 gusht, duke u bërë anija e parë kozmike ruse që e bën këtë pas “Luna-24” e vitit 1976.
Rusia synon ta ndërtojë një bazë në Hënë deri në vitin 2040.
“Luna-25” u nis nga kozmodromi i Rusisë, Vostochy, më 11 gusht, ndërsa në orbitë u fut pesë ditë më vonë, më 16 gusht.
Ajo ishte paraparë të vepronte për një vit përreth polit jugor të Hënës.
Misioni i saj kishte për qëllim të eksploronte pjesë të Hënës, për të cilat shkencëtarët besojnë se mund të përmbajnë ujë të ngrirë dhe resurse të tjerë, të cilat mund të përdorën gjatë qëndrimeve më të gjata të njerëzve në sipërfaqen e Hënës.
Rusia është duke garuar kundër Indisë, e cila synon ta zbarkojë anijen e vet kozmike “Chandrayaan-3” në polin jugor të Hënës, më 23 gusht.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shënuar përparim, po ashtu, në programet e tyre për eksplorimet hënore, si dhe planet për të ndërtuar baza hënore.
Vetëm tri shtete ia kanë dalë të zbarkojnë në Hënë suksesshëm: Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, por jo në polin jugor të saj. Prandaj, India dhe Rusia po garojnë për t’u bërë vendi i parë që e arrin këtë.
Një përpjekje e mëparshme e Indisë për të zbarkuar në polin jugor të Hënës më 2019 dështoi, pasi anija e saj kozmike u rrëzua në sipërfaqen e Hënës.
Roscosmos tha se donte të tregonte se Rusia “është një shtet në gjendje ta dërgojë një ngarkesë në Hënë dhe ta sigurojë qasjen e garantuar të Rusisë në sipërfaqen e Hënës”.
Rusia e ka tani shumë të vështirë të ketë qasje në teknologjinë perëndimore, të cilat po ndikojnë në programin e saj hapësinor, që prej së po përballet me sanksione për shkak të pushtimit të Ukrainës.
(REL)