Shkup, 31 dhjetor 2021 – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të marrin fatura më të larta të energjisë elektrike dhe të ngrohjes qendrore, nga 1 janari.
Komisioni Rregullator për Energjetikë të premten ka vendosur rritjen e çmimit të ngrohjes për 14 për qind, ndërsa të enjten energjinë elektrike e shtrenjtoi për rreth 10 për qind.
Një familje që ka paguar rreth 3.000 denarë në muaj (50 euro), rritje të çmimit do të ketë për 300 denarë apo 5 euro në muaj. Fatura më të larta qytetarët do të marrin edhe për ngrohjen qendrore.
Rritjen e çmimit, Komisioni Rregullator e ka arsyetuar me krizën energjetike dhe pamundësinë e kompanive për t’i mbuluar humbjet.
Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike përfshin edhe heqjen e tarifës së lirë ditore, nga ora 14 deri në orën 16. Komisioni ka bërë të ditur se me këtë vendim do të kursehet energji elektrike në vlerë rreth 100 mijë euro në bazë ditore.
Maqedonia e Veriut nuk ka aplikuar kufizime të energjisë elektrike dhe drejtuesit e institucioneve kanë siguruar qytetarët se furnizimi do të jetë i pandërprerë, ndërsa edhe rritje të reja të çmimeve nuk do të ketë.
Pavarësisht kësaj, opozita ka kritikuar qeverinë për këto vendime, të cilat sipas VMRO DPMNE-së do të rëndojnë mbi gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Zaevizmi vazhdon të cenojë standardin e jetesës së qytetarëve. Pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike me mbi 15 për qind, regjimi bën edhe një rritje të re të çmimit. Në kushtet kur qytetarët me zor ia dalin të sigurojnë bukën e gojës, kur çmimet e produkteve janë ngritur deri në qiell, vendimi i ri për shtrenjtimin e ngrohjes dhe të energjisë çdo të godasë edhe më shumë standardin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.
(Isuf Kadriu, REL)