Uashington, 15 shtator 2022 – Një anketim i ri tregon se mbështetja nga publiku për punën e Presidentit Joe Biden ka filluar të rritet. Ndërsa nuk është e qartë nëse kjo mbështetje do të shndërrohet në vota gjatë zgjedhjeve të Kongresit në nëntor, anketimi gjithashtu tregon se shumica e amerikanëve vazhdojnë të jenë të shqetësuar për gjendjen e ekonomisë.
Anketimi i bërë rishtazi nga Qendra për Studime Publike (NORC) e agjencisë së lajmeve Associated Press tregon se niveli i miratimit për Presidentin Biden ka filluar të rritet, pas disa muajsh niveli të ulët.
Arsyet për këtë rritje duket se janë disa fitore legjislative të arritura së fundmi.
“Rritja në nivelin e miratimit për Presidentin Biden vjen nga një mbështetje e ripërtërirë nga demokratët, të cilët kanë parë se si Biden ka miratuar legjislacion të rëndësishëm gjatë javëve të fundit për ndryshimin klimatik, armët dhe kujdesin shëndetësor”, thotë Hannah Fingerhut, gazetare e agjensisë së lajmeve Associated Press.
“Me këtë ligj, fitoi populli amerikan dhe humbën interesat e posaçme”, deklaronte Presidenti Biden.
Por, megjithë nivelin më të lartë të mbështetjes, amerikanët janë ende të shqetësuar nga gjendja e ekonomisë.
“Demokratët janë bërë gjithashtu shumë më optimistë për sa i përket gjendjes së ekonomisë dhe përqasjes së Presidentit Biden, megjithëse amerikanët në tërësi vazhdojnë të jenë përgjithësisht pesimistë”, thotë zonja Fingerhut.
Kjo mbështetje e re mund t’u vijë në ndihmë demokratëve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
“Niveli më i ulët i miratimit në fillim të verës i vështirësoi gjërat për Partinë Demokrate ndërsa po afroheshin zgjedhjet e mesmandatit. Anketimi i ri tregon se demokratët po bashkohen rreth presidentit, dhe kjo është një shenjë e mirë për Partinë Demokrate, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të shndërrohet në vota këtë vjeshtë”, thotë zonja Fingerhut.
(Zëri i Amerikës)