Nju Jork, 13 gusht 2022 – Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e reagimeve të ashpra nga qeveritë perëndimore ndaj regjimeve autoritare që përpiqen t’iu mbyllin gojën kritikëve jashtë vendit inkurajon më shumë vende jodemokratike të zbatojnë praktika të tilla.
Prezantuesja iraniane e lajmeve te Zëri i Amerikës, Masih Alinejad ishte pothuajse viktimë e veprimeve të tilla.
12 muajt e fundit të jetës së saj mund të jenë lehtësisht një kapitull i një romani me temë spiunazhin ndërkombëtar.
“Ishte tronditëse, tekstualisht jam rrënqethur”, thotë gazetarja iraniane, Masih Alinejad.
Në verën e vitit 2021, FBI-ja ndaloi një komplot rrëmbimi kundër gazetares së Zërit të Amerikës.
Pesë iranianë dyshohet se planifikuan ta rrëmbejnë atë në qytetin e Nju Jorkut, ta çojnë me varkë në Venezuelë dhe më pas në Iran. Katër iranianë aktualisht po mbahen nën akuzën e komplotit për rrëmbimin e zonjës Alinejad.
Më pas, në korrik të këtij viti, pamjet treguan një burrë 23-vjeçar azer në verandën e shtëpisë së saj në Brooklyn.
Policia më vonë e ndaloi personin e identifikuar si Khalid Mehdiyev, dhe i gjeti 1,100 dollarë dhe një kallashnikov të mbushur me plumba në makinën e tij, numri serial i të cilit ishte fshirë.
“Sigurisht, kam frikë! Unë jam njeri! Por besoj se edhe regjimi ka frikë nga unë” thotë ajo.
Iraniano-amerikanja që punon për Zërin e Amerikës është kritike e pasionuar e Teheranit, si dhe mbrojtëse e vendosur e të drejtave të grave. Zonja Alinejad ka ardhur në SHBA si emigrante në vitin 2009. Por edhe këtu, ajo është në shënjestër për aktivitetin e saj.
“Kishte disa përpjekje nga regjimi iranian për të më hequr qafe. E dini pse? Sepse tani, unë jam bërë si një makth për ta. Jo vetëm unë. Miliona gra si puna ime. A mund ta besoni që ata kanë frikë nga flokët tanë?”, thotë më tej gazetarja Alinejad.
Teherani mohon çdo përfshirje. Tani, nën mbrojtjen 24 orëshe të FBI-së, gazetarja është viktimë e asaj që ekspertët e quajnë hakmarrje transkombëtare, apo përpjekje nga qeveritë autoritare për t’iu mbyllur gojën kritikëve jashtë vendit.
Organizata “Freedom House” thotë se ka vërejtur veprime të tilla nga më shumë regjime autoritare.
“Një numër në rritje e qeverive kanë filluar të veprojnë brenda vendeve demokratike: brenda Shteteve të Bashkuara ose BE-së, ku njerëzit mendojnë se janë të sigurt, pasi kanë ikur nga vendi autoritar”, thotë Drejtoresha për Hulumtime tek organizata “Freedom House”, Yana Gorokhovskaia.
Kjo prirje mund të shpjegohet nga disa faktorë, thotë më tej ajo.
“Programet e lira kompjuterike me qëllim spiunimi po iu mundësojnë edhe diktatorëve më të varfër, të ndërmarrin disa nga këto veprime. Faktor tjetër është se vendet demokratike nuk kanë reaguar ashpër ndaj incidenteve, edhe kur janë kryer vrasje”, thotë zonja Gorokhovskaia.
Gazeterja iraniane Alinejad, e cila ka mbi 7 milionë ndjekës në Instagram, pajtohet me këtë vlerësim.
“Gabimi fillon te kompanitë e teknologjisë, pasi ato e lejojnë Putinin, Khomenein e Iranit, lejojnë të gjithë diktatorët, të gëzojnë ‘lirinë e fjalës’ në rrjete sociale. Pse? Kur të njëjtët diktatorë i ndalojnë njerëzit e tyre të shijonin rrjetet sociale?”, pyet gazetarja iraniane.
Asaj i kujtohet koha kur si 7-vjeçare në Iran shikonte klerikët në televizion duke mbajtur fjalime mizogjene.
“Tani, klerikët po më shikojnë mua. Unë u bëra gazetare për të fuqizuar dhe bërë zëri i miliona grave”, thotë zonja Alinejad.
Është e vështirë të thuash saktësisht se sa gra fuqizon gazetarja me programin e saj të përjavshëm televiziv “Tablet”, por përpjekjet për t’i mbyllur gojën tregojnë qartë se zëri i saj po dëgjohet në Teheran.
(Zëri i Amerikës)