Berlin / Paris / Vjenë, 9 qershor 2024 – Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme në Gjermani dhe Austri dhe Francë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të dielën, sipas disa sondazheve.
Kështu, këto tri vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.
Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja e tij, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.
Megjithatë, asaj do të mund t’i duhet mbështetja e nacionalistëve të krahut të djathtë, sikurse ajo e partisë italiane, Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të siguruar shumicën në Parlament.
Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, është e dyta me 16.5 për qind të votave, në krahasim me 11 për qind sa ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019, sipas një sondazhi të publikuar prej transmetuesit publik, ARD.
Tri partitë pjesëmarrëse në koalicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz kanë shënuar humbje të votave në krahasim me të kaluarën, sipas sondazheve.
Rezultatet janë në linjë me ndryshimet veçse të pritura, në të mirë të partive të së djathtës në Parlamentin Evropian që i mbulon 450 milionë banorët e bllokut evropian.
Sondazhet në Francë kanë treguar që lista e partisë së Marine Le Pen-it, Marshi Kombëtar, e udhëhequr prej Jordan Bardellas, ka dalë e para, me mbi 30 për qind të votave.
Kjo parti nuk ka shënuar asnjëherë më parë një rezultat kaq të lartë.
Lista e partisë së Macronit, Rilindja, e udhëhequr prej Valerie Hayer, ka dalë e dyta me 15.2 për qind të votave.
Dalja në këto zgjedhje në Francë ka qenë rreth 51 për qind, pak më shumë se më 2019 – 50.12 për qind.
Ndërkohë në Austri, Partia e Lirisë, po ashtu e ekstremit të djathtë, pritet të fitojë në zgjedhjet në këtë shtet, sipas sondazheve.
Sondazhet në Holandë, banorët e së cilës kanë votuar të enjten, tregojnë se partia nacionaliste dhe kundër migrimit, Geert Wilders, pritet të fitojë shtatë prej 29 ulëseve të ndara për këtë shtet në Parlamentin Evropian.
Parlamenti i ri Evropian pritet të ketë politika më të buta në luftim të ndryshimeve klimatike dhe më shumë përkrahje në masat për të kufizuar migrimin në bllokun evropian.
Parlamenti do të mund të jetë edhe më i përçarë, çka do të vështirësojë miratimin e ndonjë vendimi të rëndësishëm, teksa BE-ja përballet me një Rusi armiqësore dhe rritje të rivalitetit me Kinën, në fushën e industrisë.
Kjo nënkupton që kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ai francez, Emmanuel Macron, do të jenë më të dobët.
Votimet kanë nisur të enjten në Holandë dhe në disa shtete tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e banorëve të BE-së kanë votuar të dielën.
Parlamenti Evropian voton për legjislacione që janë kyçe për qytetarët dhe bizneset në bllokun me 27 vende anëtare.