Rrugët afër vendkalimeve kufitare me Serbinë, në veri, bllokohen edhe me zhavor

Prishtinë, 23 shtator 2021 – Policia e Kosovës njoftoi se në rrugët e bllokuara në afërsi të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri, në Jarinjë dhe në Bërnjakë, gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, është hedhur edhe zhavor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka njoftuar se, përveç përforcimit të bllokadave me zhavor, situata në këto vende vazhdon të jetë e njëjtë, e tensionuar por pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Në një pjesë tash është vendosur si pengesë edhe zhavor. Situata është e qetë në përgjithësi, ndërsa Policia e Kosovës po e bën punën e saj në mënyrën më të mirë”, ka thënë Kelani.

Grupe serbësh i kanë bllokuar qysh prej të hënës rrugët rajonale që e lidhin Kosovën me Serbinë, në afërsi të dy vendkalimeve kufitare. Ata kanë vendosur kamionë dhe automjete të rënda në shenjë proteste ndaj vendosjes së masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin shoferët e automjeteve nga Serbia që hyjnë dhe lëvizin në Kosovë duhet t’i heqin ose t’i mbulojnë targat e Serbisë dhe ato t’i zëvendësojnë me targa të përkohshme të Kosovës.

Kjo masëështë saktësisht ajoqë Serbia e ka aplikuar prej vitit 2011 ndaj shoferëve të automjeteve të Kosovës me targat “RKS” (Republika e Kosovës). Shoferët e automjeteve me këto targa edhe më tutje detyrohen t’i heqin ose t’u mbulojnë ato  dhe të pajisen me targa të përkohshme “Proba”.

Kjo masë është zbatuar në bazë të marrëveshjes për lëvizje të lirë të nënshkruar nga Kosova dhe nga Serbia në Bruksel, në vitin 2011 dhe në vitin 2016.

Kjo marrëveshje ka skaduar më 15 shtator, por Serbia ka vazhduar praktikën e heqjes ose mbulimit të targave “RKS” dhe lëshimin e targave të përkohshme, prandaj Qeveria e Kosovës eka vendosur të njëjtën masë.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dy palëve që të punojnë përuljen e tensioneve dhe të arrijnë  marrëveshje përmes bisedimeve. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se palët duhet t’i zbatojnë pavonesë marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”, ka theksuar Borrell, të mërkurën, në një deklaratë me shkrim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vullnet për heqjen e kësaj mase nga të dyja palët njëkohësisht. Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka shprehur gatishmërinë ta bëjë këtë.

Ai ka kërkuar që Kosova të heqë pa kushte reciprocitetin për targat dhe të tërheqë forcat e policisë së Kosovës që janë dërguar në pjesën veriore të Kosovës, praninë e të cilave e cilëson si provokim për serbët e Kosovës. Madje, ai ka paralajmëruar se Serbia do të ndërmarrë masa ndaj Kosovvës, por nuk ka treguar se çfarë masash ka ndërmend.

(r.m.)