RTK: Kishte plane për atentat ndaj kryeministrit Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shkup

Prishtinë, 10 shkurt 2024 – Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) raportoi se ka informacione për ekzistimin e planeve për vrasjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Për këtë arsye, institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut kishin marrë masa të rrepta të sigurisë në Shkup, të premten në mbrëmje, kur Kurti ishte në këtë qytet.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë kanë thënë për RTK-në se, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, kanë siguruar informacione se Serbia kishte plane për vrasjen e kryeministrit Kurtit, gjatë qëndrimit të tij në Shkup, të premten në mbrëmje.

Sipas burimeve të RTK-së, institucionet e sigurisë i kanë vlerësuar serioze kërcënimet për jetën e Kryeministrit Kurtit, meqenëëse informacionet për këto kërcënime kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar institucionet e sigurisë së Kosovës dhe institutucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut kanë bashkëpunuar ngushtë dhe në mënyrë profesionale për sigurinë e perimetrit të lëvizjes së Kurtit.

RTK ka paralajmëruar se do të publikojë një version më të plotë të planit për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në Shkup.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte njoftuar për “regjim të posaçëm të komunikacionit” gjatë kohës së qëndrimit të Kurtit në Shkup, më 9 e 10 shkurt.

“Ministria e Brendshme njofton opinionin se sot dhe nesër (9 dhe 10 shkurt) për shkak të vizitës së paralajmëruar zyrtare të një delegacioni të kryesuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Siguria Rrugore Njësia e RSSH-së Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit për përdoruesit e rrugës në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’u binden urdhrave që do të jepen nga punonjësit e uniformuar të policisë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)