(Fjala e Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Akademinë Solemne kushtuar 90 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga komuna e Prishtinë, më 28 nëntor 2002)
I nderuari kryetar, z. Ismet Beqiri,
I nderuari kryetar i Kuvendit akad. Nexhat Daci,
Të nderuar deputetë e ministra,
Zonja e zotërinj,
E përshëndes nga zemra këtë Akademi Solemne me rastin e 90-vjetorit të Ditës së Flamurit.
Ndihem shumë i lumtur që sot në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, po mbahet manifestimi qendror kushtuar Ditës së Flamurit. Bashkisë së Prishtinës i shpreh mirënjohjen time për organizimin e këtij manifestimi të plotë dhe madhështor që do të vazhdojë gjatë ditës së sotme.
Po ashtu ndihem i gëzuar se sivjet manifestimin e Ditës së Flamurit po e mbajmë pranë monumentit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut – Heroit Kombëtar të shqiptarëve dhe të Evropës e të botës së qytetëruar, që vitin e kaluar e ngriti Bashkia –Komuna e kryeqytetit, me insistimin e palodhshëm të prof. Mark Krasniqit. Dhe sot të gjithë ne ndihemi krenarë për këtë monument madhështor të Skënderbeut që e kemi në kryeqytet. Ai është bërë pjesë e jona, pjesë e jetës sonë të përditshme. Ky është funksioni i monumenteve në jetën e njerëzve.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori lidhet me emrin dhe veprën kolosale të Kastriotit për qytetërimin. Po ashtu, Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është ringjallja e 28 Nëntorit të Skënderbeut, ditë e ringjalljes së popullit tonë në epokën moderne. Me këtë rast do përmendur e përkujtuar se më 1910, Flamurin me një shqiponjë autoktone të Kosovës e përdori për herë të parë Isa Boletini me ushtarët e tij. Kjo tregon se simboli i shqiponjës dykrenare njihet që nga Aleksandri i Madh apo nga Leka i Madh, siç i themi ne shqiptarët, përmes epokës së Skënderbeut kishte mbetur i gjallë në Kosovë. Ndërsa më 1912 në Prishtinë nga ushtarët shqiptarë u përdor Flamuri me yllin gjashtëcepësh mbi shqiponjën e Isa Boletinit. Ky Flamur valoi edhe në Shkup dhe u ngrit edhe në Vlorë më 1912, i dalë nga Kosova me disa moderime.
Zonja dhe zotërinj,
Njohja formale e Pavarësisë së Kosovës do të qetësonte popullin e Kosovës, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA është vullneti i popullit të Kosovës, i shprehur më 1991.
Gjatë tre vjetëvr e gjysmë pas luftës, në liri, Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës. Këtë e kemi arritur me ndihmën e miqve tanë dhe me punë të përbashkët me UNMIK-un dhe KFOR-in.
Zonja dhe zotërinj,
Njëherësh me Ditën e Flamurit të viteve 1910 -1912 është e lidhur edhe kënga e ushtarëve të asaj kohe “Kushtrimi i Kosovës” apo “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, që ishte këngë popullore dhe përdorej si himn kombëtar. Këtë himn apo këngë të asaj kohe e kemi propozuar për himn kombëtar – shtetëror të Kosovës.
Dita e 28 Nëntorit 1912 ishte edhe Ditë e pavarësisë së trojeve të shqiptarëve, të cilat u copëtuan pa vullnetin e tyre.
Sot, pas 90 vjetësh, në këtë vit jubilar, mund të themi se shqiptarët në të gjitha territoret e tyre janë më të avancuar dhe më stabilë.
Sot, me plot të drejtë, mund të themi se Kosova përditë e më shumë po forcohet si shoqëri dhe si shtet demokratik për të gjithë qytetarët e saj. Ne të gjithë duhet të angazhohemi në këtë drejtim të shenjtë.
Dita e Flamurit tashmë është bërë festë tradicionale e shqiptarëve që e festojnë në të gjitha territoret e tyre dhe në diasporë. Kosova së shpejti do të bëjë caktimin e simboleve dhe të festave shtetërore apo kombëtare, përmes institucioneve të saj dhe në konsultim me popullin dhe qytetarët.
E gëzofshi Ditën e Flamurit!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj të qytetëruar!
(Marrë nga gazeta “Bota sot”, 29 nëntor 2002, f. 3)
Munish Hyseni