Rushiti: Nominimi për çmimin Nobel do të fuqizojë zërin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Prishtinë, 17 janar 2025 – Deputeti i Parlamentit Suedez, Magnus Jacobsson, e ka nominuar për çmimin “Nobel” për paqe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe drejtoreshën e kësaj qendre, Feride Rushiti.

Zonja Rushiti, në një konferencë për media, ka deklaruar se ky nominim është vlerësim i mbështetjes 25 vjeçare të qendrës për viktimat e dhunës seksuale dhe viktimave të torturës.

“Mendoj se është një vlerësim jo vetëm ne si organizatë për punën dhe kontributin tonë 25-vjeçar në kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, por edhe dhunës së bazuar në gjini, parandalimin e torturës. Por është një vlerësim për Kosovën që i bëhet me këtë nominim”, ka thënë ajo.

Rushiti ka thënë se nominimi për çmimin më prestigjioz për paqe do të fuqizojë edhe zërin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjithashtu do të fuqizojë përpjekjet e të gjithë individëve dhe organizatave që punojnë për rehabilitimin e dhunës seksuale gjatë konflikteve kudo në botë dhe për nxjerrjen e drejtësisë për autorët e këttyre krimeve monstruoze.

 Ajo ka thënë se konkurrenca për çmimin Nobel ësht e madhe dhe theksoi se edhe vetëm nominimi për këtë çmim është i rëndësishëm për Kosovën.

Njoftimin për nominimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe drejtoreshës së kësaj qendre, Feride Rushiti, e bëri public vetë nomunuesi, deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson.

“Çmimi ‘Nobel’ për paqe synon të vlerësojë individët, puna e të cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*