Moskë, 3 maj 2023 – Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën të mërkurën, më 3 maj, se gjatë natës kishte tentuar ta sulmonte Kremlinin me dy drone, në një përpjekje për ta vrarë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.
Kremlini tha se forcat ruse të ushtrisë dhe të sigurisë i ndaluan dronët përpara se të kryhej sulmi, të cilin e quajti “akt terrorist”.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, Kremlini tha se nuk pati viktima.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA Novosti, se Putini nuk ishte në Kremlin në atë kohë dhe po punonte nga rezidenca e tij në Novo-Ogaryovo.
Kremlini shtoi se Putini është i sigurt dhe se agjenda e tij mbetet e pandryshuar.
Kremlini nuk paraqiti asnjë dëshmi për incidentin dhe në deklaratën e publikuar nuk u dhanë shumë detaje.
Në deklaratë thuhet se Kremlini e konsideron këtë ngjarje si përpjekje të qëllimshme për ta vrarë Putinin përpara 9 majit, Ditës së Fitores në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha se një paradë ushtarake do të zhvillohet atë ditë, ashtu siç ishte planifikuar më parë.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se Rusia “do të përgjigjet kur dhe ku e sheh të arsyeshme”.
Ukraina i ka mohuar këto akuza, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me sulmin me dronë.
(r.m.)