Rusia angazhon të burgosur në luftë në Ukrainë

Pas sukseseve të Ukrainës, në Rusi janë shtuar thirrjet për mobilizim të përgjithshëm. Por, Kremlini duket se po ndjek një rrugë tjetër – po angazhon të burgosur.

Deri tani ka pasur vetëm informacione dhe spekulime, ndërsa tani dolën edhe videot e para. Mbështetësit e politikanit të opozitës rus të burgosur, Alexei Navalny dhe disa kanale në Telegram publikuan të mërkurën (14.09) një pamje të telefonit celular të një personi për të cilin dyshohet se është marrë nga një i dënuar me burg. Në të, një burrë bën thirrje për pjesëmarrje në luftën e Ukrainës. Ai është tullac dhe mban veshje ushtarake me ngjyrë ulliri. Në xhaketën e tij varen dy medalje që duken si “Hero i Rusisë”.

Liri nëse shkon në luftë gjashtë muaj

Burri në video ka një ngjashmëri të ngushtë me biznesmenin famëkeq Yevgeny Prigozhin, i cili thuhet se ka lidhje të ngushta me Kremlinin dhe sipas raporteve të mediave mban ushtrinë më të famshme private të Rusisë – “Wagner Group”. Thuhet se ajo ushtri private po lufton në Ukrainë dhe se Prigozhin është nderuar si “Hero i Rusisë”.

Në video, burri u premton të burgosurve të mbledhur para dhe liri në këmbim të gjashtë muajve të shërbimit ushtarak si pjesë e grupit Wagner. Lufta e Ukrainës është “e ashpër” dhe ka nevojë për “ushtarë luftarakë”. Mediat ruse kritike ndaj Kremlinit e përshkruajnë videon si autentike. Deklaratat nuk janë befasuese.

Raportet se Rusia është duke rekrutuar të burgosur për luftën në Ukrainë kanë qarkulluar prej muajsh. “Progishin bën një përpjekje dhe viziton personalisht njësitë e të burgosurve,” tha Olga Romanova, kreu i organizatës për të drejtat e njeriut “Rusia Behind Bars”, në një intervistë për DW në gusht. Beteja e parë me të burgosurit u zhvillua afër Luhansk në mes të korrikut, tha Romanova. Sipas vlerësimeve të tyre, Prigozhin ishte në gjendje të rekrutonte të paktën 2.500 të burgosur për luftë deri në fillim të gushtit. Mund të jetë shumë më tepër – deri në 50.000 ose 60.000, sipas Romanova, që do të ishte një në dhjetë të burgosur në Rusi.

Mobilizimi i përgjithshëm

Pas kundërsulmit të suksesshëm të Ukrainës në rajonin e Kharkiv, thirrjet për mobilizim të përgjithshëm janë shtuar në Rusi. Veçanërisht blogerët nacionalistë po bëjnë thirrje për këtë masë në rrjetet sociale. Por Kremlini po i qëndron strategjisë së tij për një “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Luftëtarë të rinj kërkohen jo vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe përmes rrugëve të tjera. Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov propozoi të enjten (16.09)  “vetëmobilizim” të decentralizuar. Çdo rajon rus mund të pajisë dhe trajnojë “të paktën një mijë luftëtarë vullnetarë”. Shteti atëherë do të kishte një forcë prej 85.000 burrash – “pothuajse një ushtri”, shkroi Kadyrov në Telegram.

Një numër i ngjashëm – 90.000 – u emërua si objektiv i mobilizimit rus nga një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës në një intervistë televizive në fund të gushtit. Deri më tani, sipas vlerësimeve të Kievit, Rusia ka dërguar rreth 160.000 ushtarë në luftën e Ukrainës.

Rekrutimi i vullnetarëve bëhet në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe rekrutimet në territoret e okupuara të Ukrainës. Nga Rusia ka në rajone rreth 40 njësi, raportoi gazeta ruse Kommersant në gusht. Por po zgjerohet edhe ushtria e rregullt. Në fund të gushtit, presidenti Vladimir Putin urdhëroi që forcat e armatosura ruse të rriteshin me më shumë se 130.000 persona. Dekreti do të hyjë në fuqi më 1 janar 2023, por duhen urgjentisht luftëtarë të rinj duke pasur parasysh humbjet në front. Sipas informacionit aktual ukrainas, më shumë se 50.000 ushtarë rusë janë vrarë që nga sulmi në shkurt. Në fillim të gushtit, ushtria amerikane vlerësoi humbjet ruse në rreth 20.000 të vdekur.

Mungesa e perspektivës si motiv

Në këtë sfond, të burgosurit duket se po formojnë një lloj skuadre për ndërhyrje të shpejta. “Ata janë të parët që dërgohen në betejë dhe janë të stërvitur shumë keq”, thotë Olga Romanova. Megjithatë, gatishmëria për të shkuar në luftë është e madhe. Sipas saj, arsyeja për këtë është mungesa e perspektivës: “Për ta (të burgosurit) është e vetmja mënyrë për të filluar një jetë të re – duke iu marrë jetën të tjerëve”.

Por ka edhe nga ata që pas burgut do të kishin një shans për jetë të re, e megjithatë shkojnë në luftë në Ukrainë. Një shembull është historia e Ruslanit, që e ka tregur kushërira e tij Svetlana në një rrëfim për DW. Të dy emrat janë ndryshuar. Ruslan është në fillim të të 20-ave, krimi i tij nuk është i rëndë dhe ai mund të lirohet nga burgu pas një viti, sipas Svetlanës. Në fillim ai hodhi poshtë idenë për të shkuar në luftë në Ukrainë, thotë Svetlana. Por në fillim të korrikut pati një rekrutim në burg, raportuan rreth 70 burra. Edhe Ruslani ishte në mesin e tyre. Më pas ajo u përpoq të ankohej te prokurori publik. Pa sukses. Në gusht, kushëriri e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që ta “largojë nga Ukraina”. Svetlana do të provojë ta bëjë këtë.

(DW)