Rusia e akuzon Ukrainën për granatime pranë Zaporizhias

Moskë, 17 shtator 2022 – Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 17 shtator se forcat e saj kanë kryer sulme ndaj pozicioneve ukrainase në disa pjesë të Ukrainës, duke e akuzuar Kievin se ka granatuar shumë pranë centralit bërthamor të Zaporizhjës.

Forcat ruse, sipas ministrisë, kanë kryer sulme në rajonin e Hersonit, Mikolajivit, Harkivit dhe Donjeckut. Në deklaratën e ministrisë ruse u tha po ashtu se forcat ukrainase kanë kryer një ofensivë të pasuksesshme në Pravdine, në rajonin e Hersonit.

Situata në centralin e Zaporizhjës – centralit më të madh bërthamor në Evropë – aktualisht është e qetë, tha Ministria ruse e Mbrojtjes. Kjo ministri tha se kanë ndodhur dy granatime ukrainase të shtunën pranë këtij centrali.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ukrainase mohoi se forcat e Kievit kanë granatuar pranë centralit.

Rusia dhe Ukraina vazhdimisht kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime pranë centralit të Zaporizhjës, që gjendet në jug të Ukrainës.

Ky central u pushtua nga Rusia pak kohë pas nisjes së luftës ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore gjatë kësaj jave miratoi një rezolutë përmes së cilës i kërkoi Rusisë që t’i jepë fund pushtimit të centralit.

(REL)