Rusia e vazhdon evakuimin e banorëve nga rajoni i Kurskut

Moskë, 15 gusht 2024 – Zyrtarët në rajonin e Kurskut, në Rusi, kanë urdhëruar të enjten evakuimin e detyrueshëm të banorëve nga i gjithë qarku i Glushkovit, në zonën kufitare me Ukrainën.

Të enjten, guvernatori i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov, u bëri thirrje banorëve të qarkut që “ta kuptojnë gjendjen e tanishme dhe t’i ndjekin të gjitha udhëzimet e agjencive të sigurisë dhe të autoriteteve vendore”.

Të mërkurën, autoritetet në Ukrainë shprehën gatishmërinë t’u ndihmojnë ciuvilëve rusë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në rajonin e Kurskut.

“Ukraina vepron në përputhje me të gjitha normat e ligjit humanitar ndërkombëtar. Ne do t’u ofrojmë mbrojtje të nevojshme dhe mbështetje humanitare civilëve të rajonit të Kurskut”, shkroi në Facebook Ministria për Riintegrim e Ukrainës.

Qarku i Glushkovit ndodhet në afërsi të qarkut të Sudzhas, i cili ka qenë fushëbetejë e luftimeve më të ashpra prej se Ukraina e nisi inkursionin në tokën ruse, më 6 gusht. Para luftës ky qark i kishte rreth 20.000 banorë

Zyrtarët ukrainas pretendojnë se i kanë vendoasur nën kontroll 74 vendbanime, me një sipërfaqe prej 1.000 kilometrash katrorë të territorit rus. Këto pretendime nuk janë verifikuar ende nga burime të pavarura.

Rusia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme federale në rajonin e Kurskut dhe gjendje të jashtëzakonshme rajonale në rajonin e Belgorodit. Moska ka shpallur “operacion antiterrorizëm” në rajonet e Kurskut, Belgorodit dhe Brianskit.

Të enjten, ushtria ukrainase raportoi se gjatë natës Rusia i ka sulmuar me raketa dhe me dronë së paku nëntë rajone në Ukrainë. Sipas ushtrisë ukrainase, shumica e tyre janë shkrepur nga bazat ajrore brenda Rusisë.

Të mërkurën në mbrëmje ushtria ukrainase konfirmoi se la lryer sulme me dronë ndaj katër bazave ajrore në rajonet Voronezh, Kursk dhe Nizhni në Rusi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Një burim nga agjencia ukrainase e sigurisë tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se ky ishte sulmi më i madh ndaj bazave ajrore të Rusisë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurt 2022.

(r.m.)