Rusia ka njoftuar tërheqjen e ushtrisë së saj nga Kherson, në jug të Ukrainës.
Kjo është një fitore e madhe për luftën vetëmbrojtëse e çlirimtare të ukrainasve.
Duke u larguar, rusët po detyrohen të heqin dorë nga një prej arritjeve më të rëndësishme në luftën për copëtimin e Ukrainës. Pushtimi i Khersonit kishte hapur idenë e krijimit të një brezi tokësor që do ta linte Ukrainën pa dalje në det dhe do të bashkonte Rusinë me zonën “pro-ruse” të Moldavisë. Tani ky projekt strategjik dështoi po ashtu si pushtimi i kryeqytetit Kijiv në fillim të luftës, në muajin shkurt.
Kherson ishte edhe i vetmi kryeqytet rajonal që kishin mundur të kapnin rusët që nga fillimi i pushtimit. Edhe psikologjikisht kjo është një humbje e madhe në një kohë kur Rusia po projektonte një kundërsulm.
Nëse kjo tërheqje përfundon si është urdhëruar, Lumi Dniepër do të kthehet në kufi fizik ndërmjet territoreve në zotërim të dy ushtrive, në pjesën jugore të Ukrainës. Kherson me rrethina ishte e vetmja zonë që u kishte mbetur rusëve në krahun perëndimor të lumit. (Ruben Avxhiu)