Rusia: Gjakderdhja në veri të Kosovës, pasojë direkte e kursit të Kurtit

Moskë, 26 shtator 2023 – Moska zyrtare e akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përleshjen e armatosur të Policisë së Kosovës me një grup terroristësh serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se “gjakderdhja e fundit” në veri të Kosovës është pasojë direkte e politikave të kryeministrit Kurti, të cilit ajo ia paravendos atributin “i ashtuquajgturi”.

“S’ka dyshim që gjakderdhja është pasojë direkte e kursit të të ashtuquajturit ‘kryeministër’ Albin Kurti, me qëllim të nxitjes së luftës dhe spastrimit etnik të kësaj pjese të territorit”, thuhet në deklaratën e saj.

Në deklaratë thuhet se Kurti po përpiqet të përshkallëzojë situatë në veri, me qëllim që të nxisë Perëndimit që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për të njphur pavarësinë e Kosovës.

“Përpjekjet e Kurtit për të përshkallëzuar situatën në mënyrë që Perëndimi të ushtrojë presion ndaj lidershipit serb që Beogradi ta njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës është lojë e vazhdueshme me zjarrin, e cila, siç po shihet, është shumë e shtrenjtë dhe përbën rrezik për mbarë  rajonin e Ballkanit”, thuhet më tutje në deklaratë.

Zakharova e ka akuzuar edhe Policinë e Kosovës për, siç ka thënë, “operacione sistematike kundër komunitetit serb” në Kosovë.

Të dielën, në sulmet e grupit të terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit u vra zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy të tjerë. Sipas informacioneve të deritashme, gjatë përleshjes së armatosur me policinë, janë vrarë tre sulmues dhe janë arrestuar tetë të tjerë. Dy prej tyre kanë pohuar se kanë qenë pjesëtarë të grupit terrorist.

Në fshatin Banjskë dhe në zonën përreth Policia e Kosovës ka gjetur njeë arsenal armësh të ndryshme, përfshirë raketahedhës, minahedhës, mitralozë e armë të tjera të rënda, sasi të mëdha armësh dhe municionesh të kalibrave të ndryshme, automjete të blinduara e mjete tjera transportuese, aparatura dhe pajisje të ndryshme komunikimi, si edhe harta, dokumente e materiale të ndryshme ;për nevoja logjistike.

(r.m.)