Moskë, 11 mars 2022 – Prokurorët i kanë kërkuar një gjykate ruse që kompaninë amë të Facebookut, “Meta”, ta kategorizojë si “organizatë ekstremiste”, raportoi Interfax të premten.
Më herët, Kremlini ka thënë se Rusia do t’u japë fund aktiviteteve të kompanisë “Meta”, nëse janë të vërteta raportet se përdoruesve të Facebook-ut do t’u lejohet të bëjnë thirrje për dhunë kundër rusëve.
Prokurorët i janë referuar një raporti të agjencisë Reuters të 10 marsir që thoshte se kompania ”Meta” do t’ua lejojë përdoruesve të Facebookut dhe Instagramit në disa vende që të bëjnë thirrje për dhunë kundër rusëve dhe kundër ushtarëve rusë, pasi Rusia e pushtoi Ukrainën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 11 mars se Moska do të marrë “masa vendimtare”, nëse raporti është i vërtetë.
“Ne nuk duam të besojmë raportin e Reutersit, është shumë e vështirë të besohet”, tha ai.
“Shpresojmë që të mos jetë e vërtetë, sepse nëse është e vërtetë do të thotë se do të duhet të merren masat më vendimtare për t’u dhënë fund aktiviteteve të kësaj kompanie”, tha Peskov.
Një zëdhënës i “Meta”, në orët e vona të 10 marsit, e citoi shprehjen “vdekje pushtuesve rusë” për të ilustruar një përjashtim për deklaratat që normalisht do të kishin shkelur udhëzimet e përdorimit të këtyre rrjeteve sociale.
“Ne ende nuk do të lejojmë thirrje për dhunë kundër civilëve rusë”, shkroi zëdhënësi në Twitter.
Ambasada ruse në Shtetet e Bashkuara i kërkoi Uashingtonit të ndalojë “aktivitetet ekstremiste” të kompanisë “Meta”.
“Politika agresive dhe kriminale e ‘Meta’ që çon në nxitjen e urrejtjes dhe armiqësisë ndaj rusëve, është e egër”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës ruse.
(REL)