Rusia me notë proteste ndaj SHBA-së për cilësimin e Putinit si “kriminel lufte”

Moskë, 21 mars 2022 – Ministria e Jashtme e Rusisë e ka ftuar në bisedë ambasadorin amerikan në Rusi, John Sullivan, pas deklaratave të bëra së fundmi nga presidenti Joe Biden, i cili e quajti presidentin rus, Vladimir Putin, “kriminel lufte” për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ministria, përmes një deklarate më 21 mars, njoftoi se ambasadorit Sullivan i dorëzoi një notë proteste “në lidhje me deklaratat e papranueshme të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, për presidentin e Rusisë”.

“Deklarata të tilla të bëra nga një president amerikan, të cilat nuk janë të denja për një burrështetas, kanë vendosur raportet ruso-amerikane në prag të prishjes”, thuhet në deklaratë.

Më 16 mars Biden e quajti Putinin “kriminel lufte”. Një ditë më vonë ai e cilësoi Putinin si “bandit” dhe si “diktator vrasës”, por nuk e përsëriti cilësorin “kriminel lufte”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka deklaruar se Biden foli “nga zemra” kur i bëri këto deklarata, pasi i kishte parë në televizion pamjet e “veprimeve barbare dhe brutale të një diktatori përmes pushtimit të një shteti të huaj”.

Prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, forcat ruse kanë goditur me raketa e bomba shumë caqe civile, përfshirë spitale, shkolla, ndërtesa banimi dhe struktura të tjera civile.

Rusia mohon se shënjestron objektiva civile, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.

(REL)