Berlin, 31 gusht 2022 – Rusia ka ndërprerë furnizimet me gaz për Evropën më 31 gusht, ndërsa janë rritur shqetësimet se Moska po i zvogëlon dërgesat e gazit për t’u bërë presion shteteve perëndimore.
Sipas të dhënave nga pikat e lidhjes së tubacionin “Nordstream 1” me rrjetin gjerman të gazit, dërgesat në Gjermani kanë rënë në zero.
Ndërprerja e furnizimeve me gaz është bërë për shkak të mirëmbajtjes që pritet të zgjasë deri në orët e para të 2 shtatorit.
Gjiganti i energjisë ruse “Gazprom” tha se është e nevojshme një punë treditore në kompresorin e gazsjellësit.
Por, shefi i Agjencisë federale të Rrjetit në Gjermani, Klaus Mueller, paralajmëroi se kjo ndalesë e gazit ka të ngjarë të jetë thjesht një pretekst i Moskës për të përdorur furnizimet me energji si kërcënim ndaj Gjermanisë.
Ndërprerja e furnizimit me gaz e ka rritur frikën se Rusia po i ndalon furnizimet për t’u bërë presion shteteve perëndimore dhe për të thyer unitetin e tyre ndaj sanksioneve të vendosura kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, Rusia hedh poshtë një akuzë të tillë.
Edhe në muajin korrik, Rusia kishte ndaluar përkohësisht dërgesat e gazit natyror në Gjermani, për shkak të disa punimeve të përvitshme në mirëmbajtje.
Ndërprerjet e funizimeve dhe zvogëlimi i dërgesave të gazit nga Rusia kanë shkaktuar rritjen e çmimit të gazit dhe i kanë detyruar qeveritë evropiane të përpiqen të sigurojnë burime alternative të energjisë para stinës së dimrit.
(r.m.)