Rusia paralajmëron “përgjigje të fuqishme” ndaj sanksioneve të SHBA-së

Moskë, 23 shkurt 2022 – Moska ka reaguar ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kundër Rusisë, duke u zotuar për “një përgjigje të fuqishme” ndaj një varg masash kundër bankave dhe individëve rusë që i prezantoi presidenti amerikan, Joe Biden.

“Nuk duhet të ketë dyshim, ndaj sanksioneve do të ketë përgjigje të fuqishme, jo detyrimisht simetrike, por të mirëkalibruara dhe të ndjeshme ndaj palës amerikane”, tha Ministria e Jashtme ruse më 23 shkurt.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj Moskës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se ka njohur si shtete të pavarura, dy rajone në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Putin tha po ashtu se do të dërgojë trupa ruse atje.

Këtij vendimi të Putinit i ka paraprirë edhe grumbullimi i të paktën 150,000 trupave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës, duke rritur frikën se Moska po përgatitet për një pushtim të plotë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 22 shkurt njoftoi për rundin e parë të sanksioneve ndaj Rusisë.

Në mesin e të sanksionuarve janë dy banka ruse. Po ashtu Moskës i është ndaluar qasja në institucionet financiare, tha Biden, pasi siç tha presidenti amerikan, Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Përveç Shteteve të Bashkuara, sanksione kundër Rusisë kanë vendosur edhe Bashkimi Evropian, Britania, Australia, Kanadaja dhe Japonia.

(REL)