Moskë, 2 shtator 2023 – Moska njoftoi të shtunën herët në mëngjez se kishte arritur të pengonte një sulm me dronë ujorë ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.
Në një postim në rrjetin social ‘Telegram’, Ministria ruse e Mbrojtjes shkruante se tre mjete lundruese pa pilot dhe me aftësi zhytëse, ishin dërguar nga Kievi për të kryer një sulm terrorist në urën e Krimesë sikurse thuhej në njoftim. Zyrtarët rus thanë gjithashtu se dronët ishin shkatërruar në Detin e Zi, njëri të premten vonë në mbrëmje dhe dy të tjerë, të shtunën herët në mëngjez.
Ura u ndërtua pas aneksimit në mënyrë paligjshme të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Ndërtimi i objektit përfundoi në vitin 2018. Ura ka qenë në shënjestër të vazhdueshme gjatë gjithë sulmit rus të Ukrainës, mes tyre dhe një sulm në muajin korrik, që shkaktoi dëme të mëdha në urë si dhe vdekjen e dy personave.
Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin e korrikut, por deri tani nuk ka komentuar rreth pretendimeve të Rusisë se ka parandaluar një sulm tjetër me dronë, ndaj objektit infrastrukturor.
(Zëri i Amerikës)