Berlin,26 nëntor 2021 – Gjermania do të ketë një qeveri të re muajin e ardhshëm pasi tre parti ranë dakord të formojnë një koalicion, duke larguar nga pushteti kristiandemokratët e kancelares Angela Merkel. Qeveria e re nën drejtimin e Olaf Scholz-it përballet me një provë të menjëhershme të politikës së jashtme, pasi Rusia ka vendosur dhjetëra mijëra trupa në kufijtë lindorë të Evropës. Korrespondenti I Zërit të Amerikës Henry Ridgwell I hedh një vështrim marrëdhënieve të ardhshme të Berlinit me Moskën.
Një qeveri e re për Gjermaninë; një epokë e re për ekonominë më të madhe të Evropës. Dy muaj pas zgjedhjeve, socialdemokratët nën drejtimin e Olaf Scholz – kancelari i ardhshëm i Gjermanisë – ranë dakord të drejtojnë një koalicion së bashku me partinë e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë. Zoti Scholz u zotua të forcojë aleancat e Gjermanisë.
“Miqësia jonë me Francën, partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara dhe përkushtimi për paqen dhe prosperitetin në botë, janë shtyllat mbi të cilat bazohet politika jonë e jashtme”.
Por kjo paqe duket gjithnjë e më e brishtë në kufijtë lindorë të Evropës. Rusia ka vendosur rreth 90 mijë trupa, së bashku me pajisje ushtarake, pranë kufirit të saj me Ukrainën – dhe vazhdon të mbështesë rebelët separatistë në rajonin Donbas të Ukrainës.
Kancelarja në largim Angela Merkel paralajmëroi të enjten për sanksione më të ashpra.
“Çdo agresion i mëtejshëm kundër sovranitetit të Ukrainës do të kishte një çmim të lartë. Kjo është shumë e qartë”, tha kancelarja.
Rusia po mbështet gjithashtu Bjellorusinë – të cilën Evropa e akuzon se po krijon një krizë emigrantësh në kufirin e saj me Poloninë. Pra, si do t’i trajtojë qeveria e re e Gjermanisë këto sfida të menjëhershme të sigurisë?
Marrëveshja e koalicionit prej 177 faqesh rithekson mbështetjen e fortë gjermane për NATO-n, si bazën e sigurisë evropiane.
“Në përgjithësi ka vazhdimësi, por ajo që është interesante është se ka gjithashtu një retorikë mjaft të fortë, kur bëhet fjalë për mbështetjen e shoqërisë civile në Rusi, dhe gjithashtu një retorikë mjaft të fortë, kur bëhet fjalë për t’iu kundërvënë sfidës autokrate që vjen nga Kremlini. Dhe këtu shihet ndikimi i partisë së Gjelbër, që ka hyrë në koalicion”, thotë Liana Fix me organizatën Körber-Stiftung.
Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock do të jetë ministre e jashtme e Gjermanisë. Vendimi i parë i madh do të jetë miratimi i hapjes së gazsjellësit Nord Stream 2 që lidh Rusinë dhe Gjermaninë. Kritikët janë të shqetësuar se projekti mund të përdoret për të shantazhuar Evropën. Shtetet e Bashkuara kohët e fundit forcuan sanksionet ndaj kompanive ruse të përfshira në ndërtimin e tij.
“Të Gjelbrit, që në fakt ishin që në fillim kundër gazsjellësit Nord Stream 2, nuk donin të përdornin kapitalin e tyre politik për të zbatuar ndalimin e Nord Stream 2 në marrëveshjen e koalicionit”, thotë Liana Fix.
Në aspektin e marrëdhënieve personale? Angela Merkel u rrit në Gjermaninë Lindore nën komunizëm dhe flet rrjedhshëm rusisht.
“Kjo i dha asaj qasje të veçantë tek presidenti rus. Olaf Scholzi nuk e ka këtë aftësi, por ai është shumë i vetëdijshëm për situatën, kur argumenton shpesh se ‘forca mund të mos jetë gjithmonë zgjidhja’ dhe kjo është një nga bazat e tij të të kuptuarit të politikës së jashtme dhe gjithashtu të politikës ndaj Rusisë”, thotë Liana Fix.
Zoti Scholz thotë se Gjermania duhet të jetë gati për një rend të ri botëror.
“Bota do të ndryshojë. Ajo do të bëhet multipolare, që do të thotë, se do të ketë shumë vende dhe fuqi në të gjithë globin, që do të kenë ndikim në atë që do të ndodhë në të ardhmen”.
Tani për tani, pjesa më e madhe e fokusit të qeverisë së re do të jetë në vend – ku ka një rritje të shkallës së infeksionit me koronavirus. Vdekjet e lidhura me COVID-in këtë javë kaluan 100 mijë, që nga fillimi i pandemisë. Një moment historik i zymtë ndërsa koalicioni përgatitet të marrë frenat e pushtetit në dhjetor.
(Zëri i Amerikës)