Rusia raporton për sulme me dronë në bazën e saj në Detin e Zi dhe në Krime

Moskë, 4 gusht 2023 – Ushtria ruse ka thënë se i ka zmbrapsur sulmet me dronë në bazën më të madhe detare në Detin e Zi dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Rusia.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 4 gusht se dy dronët detarë e kanë sulmuar gjatë natës bazën Novorosisk në Detin e Zi.

“Anijet janë identifikuar dhe janë shkatërruar nga anijet ruse që e kanë ruajtur bazën”, ka thënë ministria ruse e Mbrojtjes, citon Radio Evropa e Lirë.

Sipas saj, forcat ruse në Gadishullin e Krimesë i kanë rrëzuar edhe 13 dronë ukrainas.

Guvernatori i rajonit Krasnodar, Veniamin Kondratyev, ka thënë se nuk ka raportime për viktima dhe për dëme nga sulmi në Novorosisk.

Por, autoritetet ruse kanë thënë se qarkullimi në një prej porteve më të mëdha komerciale të Rusisë është ndaluar përkohësisht.

Sulmet në Detin e Zi dhe rajonet përreth janë rritur qëkur Rusia refuzoi të vazhdojë1008 marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ka mundësuar transportimin përmes detit të grurit të Ukrainës.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në lindje të shtetit janë duke u zhvilluar luftime “shumë mizore”.

“Pushtuesit janë duke tentuar t’i ndalojnë djemtë tanë në çdo mënyrë, Sulmet janë shumë mizore”, ka thënë Zelensky.

(r.m.)