Rusia shkatërron një digë në lumin Dnjepër, evakuohen banorët e Hersonit

Kiev, 6 qershor 2023 – Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka godiitur dhe dëmtuar një digë të madhe në lumin Dnjepër, në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia.

Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, për shkak të rrezikut nga përmbytjet masive.

Kievi tha se 24 vendbanime janë përmbytur, pasi brenda pak orësh niveli i ujit në disa zona ishte rritur 10 deri 12 metra.

Ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi këtë digë me qëllim për ta parandaluar kalimin e forcave ruse në lumin Dnjepër.

“Ky është një reagim histerik. Ata ishin të vetëdijshëm që kalimi i forcave të mbrojtjes [ukrainase] do të ndodhte dhe tentuan në këtë mënyrë të ndikojë te forcat e mbrojtjes ashtu që kalimi i Dnjeprit, të cilit iu frikësuan, nuk do të ndodhte”, tha zëdhënësi i komandës ushtarake në Ukrainën jugore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.

“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.

“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.

Rusia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm dhe ka fajësuar Ukrainën. Komiteti Hetues i Rusisë nisi hetime penale lidhur me shkatërrimin e digës.

“Ky krim është një akt terrorist i drejtuar kah civilët. Ukrainasit e bënë”, tha Vladimir Leontyev, kryetari i emëruar nga Rusia i Nova Kahovkës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Ukraina e kishte sabotuar digën për ta larguar vëmendjen nga “kundërofensiva që po dështon”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar për sulmin ndaj digës dhe kërkoi sanksione të reja ndërkombëtare ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj industrisë ruse të raketave dhe sektorit bërthamor.

Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se situata në centralin bërthamor në Zaporizhja po “monitorohej me shqetësim”.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.

“Pasi që reaktorët e Zaporizhjas janë ndalur që disa muaj, vlerësohet se ky pellg do të jetë i mjaftueshëm për të furnizuar ujë për procesin e ftohjes për disa muaj”, tha drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Mariano Grossi.

Grossi shtoi se tani duhet të sigurohet që të mos shkaktohen dëme të tjera dhe shtoi se, për t’u siguruar për një gjë të tillë, ai do ta vizitojë centralin në Zaporizhja javën e ardhshme.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi ndaj digës e tregon “edhe një herë brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë”.

“Shkatërrimi i sotshëm i digës Kahovka i rrezikon mijëra civilë dhe shkakton dëme të mëdha në ambient”, tha Stoltenberg.

Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit i konfirmoi raportimet për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.

“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.

Prokudin tha se deri në orën 7:30, sipas kohës lokale, vendbanimet e përmbytura ose pjesërisht të përmbytura ishin: Tyahynka, Lviv, Odradokamyanka, Ivanivka, Mykilske Tokarivka, Ponyativka, Bilozerk dhe zona Ostriv në qytetin e Hersonit.

“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.

Shefi i Këshillit Evropian të BE-së, Charles Michel, u zotua se Rusia do të mbahej përgjegjëse për “krimin e luftës” të shkatërrimit të infrastrukturës civile.

Kreu i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, e akuzoi Rusinë për “ecocid” – shkatërrim të ambientit përmes veprimeve të qëllimshme apo neglizhente të njerëzve – në një mesazh në platformën Telegram.

“Një tjetër krim lufte nga terroristët rusë. Ky është ecocid”, shkroi Yermak.

Niveli i ujit në qytezën pranë digës së shkatërruar mund të rritet për deri në 12 metra, tha kryetari i kësaj zone i emëruar nga Rusia, Vladimir Leontyev. Autoritetet thanë se niveli i ujit pritet të rritet përgjatë 72 orëve të ardhshme.

Diga, e ndërtuar në vitin 1956, është rreth 30 metra e lartë dhe rreth 3.3 kilometra e gjatë. Qëllimet e saj parësore janë prodhimi i energjisë, ujitja dhe navigacioni.

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka thënë përmes një deklarate se shkatërrimi i digës nuk e rrezikon furnizimin energjetik të vendit pasi që “elektriciteti i prodhuar është i mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve”.

Diplomati ukrainas, Anton Korynevych, e fajësoi Rusinë për shkatërrimin e digës dhe tha se ky ishte veprim i kryer nga një “shtet terrorist”.

“Rusia nuk mund të na mposhtë në fushëbetejë, kështu që synon infrastrukturës civile për të tentuar të na bindë të tërhiqemi. Veprimet e Rusisë janë veprimet e një shteti terrorist, një agresori”, tha ambasadori i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Incidenti në Herson pason mohimet nga Kievi për pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kishin zmbrapsur një ofensivë të shumëfisht ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut.

Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur atë një përpjekje për dezinformim ndërsa mohoi se kishte nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë territorin e humbur që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, Kievi tha më 5 qershor se forcat ukrainase po “kalonin në veprime sulmuese” në disa zona dhe po kryenin operacione në shkallë të vogël.

Pretendimi rus, i cili erdhi pasi Zelensky i kishte thënë mediumit amerikan Wall Street Journal dy ditë më parë se forcat ukrainase ishin gati për kundërsulm, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë dhe u mohua nga ushtria ukrainase.

Ushtria ukrainase tha se Rusia përdori video dhe fotografi të vjetra “si dhe materiale të tjera të rreme” në raportin e saj në lidhje me kundërsulmin e supozuar, në të cilin zyrtarët rusë thanë se Ukraina pësoi humbje të mëdha.

Më herët, më 5 qershor, Ministria ruse e Mbrojtjes lëshoi një video-deklaratë duke thënë se forcat ukrainase i sulmuan pesë pika në Donjeck duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy tanke, por tha se sulmi i tyre “nuk pati sukses”.

Në deklaratë thuhej se shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, gjenerali Valery Gerasimov, e ka mbikëqyrur personalisht mbrojtjen ruse.

Gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, tha më 5 qershor se forcat ukrainase vazhduan të përparojnë pranë Bahmutit, qytetit që ka qenë epiqendra e luftimeve disamujore për marrjen nën kontrollin të rajonit të Donjeckut. Por, ai nuk përmendi nisjen e një kundërofensive.

(REL)