Rusia: Sulm “masiv” me drone i Ukrainës në Flotën e Detit të Zi

Kiev, 29 tetor 2022 – Ukraina ka kryer një sulm “masiv” me dronë në flotën e Detit të Zi në qytetin port të Krimesë, Sevastopol, duke dëmtuar një anije luftarake, thotë Rusia.

Sipas saj, janë përdorur nëntë dronë, por Ukraina ende nuk i ka komentuar këto pretendime.

Pa dhënë prova, Rusia akuzoi trupat britanike për përfshirje në sulmin e së shtunës – dhe në hedhjen në erë të tubacioneve të gazit muajin e kaluar.

Në përgjigjen e saj, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia “po shpërndante pretendime të rreme në një shkallë epike”.

Sulmi i së shtunës vjen pasi trupat ukrainase rimorrën me sukses territorin e pushtuar nga trupat ruse që kur nisën pushtimin e tyre më 24 shkurt.

Rusia është përgjigjur duke nisur sulme në shkallë të gjerë në infrastrukturën ukrainase, veçanërisht në rrjetin energjetik të vendit.

Sevastopol është qyteti më i madh në atë rajon dhe shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi.

Në prill, anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, kryqëzori raketor Moskva, u mbyt pranë Krimesë. Rusia tha se një shpërthim municioni shkaktoi dëmin që fundosi anijen, ndërsa Ukraina pretendoi se e kishte fundosur anijen me një sulm raketash.

Më 9 gusht, një bazë ajrore ushtarake ruse në Krime u trondit nga disa shpërthime që shkatërruan të paktën nëntë avionë ushtarakë. Agjencia gjermane e lajmeve DPA më 19 gusht, duke cituar zyrtarë ushtarakë perëndimorë tha se sulmi në bazën ajrore Saky kishte nxjerrë jashtë funksionit më shumë se gjysmën e avionëve të Flotës së Detit të Zi dhe e detyroi flotën të ndërmerrte një pozicion mbrojtës.

(REL)