Rusia teston një raketë hipersonike

Moskë, 28 maj 2022 – Rusia e ka testuar me sukses raketën lundruese hipersonike, “Zircon”, e cila ka fluturuar në një distancë prej afër 1,000 kilometrash, tha Ministria ruse e Mbrojtjes më 28 maj.

Raketa u lëshua nga Deti Barents dhe qëlloi objektivin në Detin e Bardhë, tha kjo ministri.

Në një video të publikuar nga autoritetet ruse shfaqet raketa duke u lëshuar nga një anije drejt qiellit në një trajektore të pjerrët.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se raketa “Zircon” është pjesë e gjeneratës së re të sistemit të armëve.

Raketat hipersonike udhëtojnë nëntë herë më shpejt se sa shpejtësia e zërit.

Rusia edhe më herët ka kryer testime të raketës “Zircon”, duke e lëshuar nga luftanije dhe nga nëndetëse.

Ushtria ruse ka pësuar humbje të mëdha të trupave dhe të pajisjeve gjatë pushtimit të Ukrainës që ka nisur më 24 shkurt. Por, Moska vazhdon të testojë armë, në përpjekje për të shfaqur fuqinë e raketave të saj.

Muajin e kaluar, Rusia testoi raketën e re ndërkontinentale “Sarmat”, e cila mund të bartë dhjetë apo më shumë koka bërthamore.

(REL)