Rusia thotë se do të reduktojë aktivitetet ushtarake në Kiev dhe Chernihiv

Stamboll, 20 mars 2022 – Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Aleksander Fomin, ka deklaruar se Rusia do të ulë ndjeshëm aktivitetet e saj ushtarake në drejtim të kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior ukrainas Chernihiv, me qëllim që të rritet besimi në negociatat e ardhshme për vendosjen e paqes, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse, me qëllim të ndërtimit të besimit dhe krijimit të kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve për qëllimin përfundimtar, arritjen e marrëveshjes dhe nënshkrimin e një traktati të paqes, mori vendim për të ulur rrënjësisht aktivitetet ushtarake në drejtim të Kievit dhe Chernihivit”, ka deklaruar Fomin, pas bisedimeve të delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, në Stamboll.

Zëvendësministri rus i mbrojtjes ka thënë se detajet do të jepen nga Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë, pasi delegacioni rus të kthehet në Moskë. Ai ka theksuar se Moska pret që edhe Kievi të krijojë kushte për “punë normale” të mëtejshme.

Fomin ka kërkuar që Ukraina të mos i keqtrajtojë ushtarët rusë të zënë rob.

“Do të doja t’u bëj thirrje përfaqësuesve të Ukrainës dhe t’i bëj thirrjes Ukrainës që të respektojë Konventat e Gjenevës, përfshirë trajtimin njerëzor të të burgosurve të luftës”, ka thënë ai.

Kjo kërkesë vjen pas videoregjistrimeve që qarkullojnë në internet, ku shihen ushtarë rusë të zënë rob duke u qëlluar në këmbë nga forcat ukrainase.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsku, ka thënë se një takim midis presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohet pasi të jetë gati dhe të miratohet drafti i një traktati të mundshëm të paqes.

“Ky takim është i mundur, është i mundur kur të jetë gati për nënshkrim një traktat i hamonizuar nga negociatorët dhe nga ministrat e jashtëm. Nëse puna në hartimin e traktatit pëfundon shpejt dhe gjendet një kompromis, mundësia për paqe do të jetë shumë më e afërt”, ka thënë Medinski.

Sipas tij, takimi në Stamboll ishte “konstruktiv” dhe pala ukrainase paraqiti “qëndrimin e saj gjithëpërmbledhës” për ta përfshirë në traktatin e paqes.

“Këto propozime do të do të shqyrtohen në të ardhmen e afërt, do t’i raportohen presidentit dhe do të jepet përgjigja jonë përkatëse”, ka thënë Medinski.

(r.m.)