Moskë, 15 prill 2022 – Kievi u godit sot nga disa raketa. Moska tha se e ka goditur një fabrikë që prodhonte dhe riparonte raketa, përfshirë edhe raketa kundër anijeve.
Pas tërheqjes së trupave ruse për t’u përqendruar në Ukrainën lindore, në Kiev kanë nisur të shfaqen gradualisht disa shenja të jetës normale të paraluftës. Por, fillimi i bombardimeve mund t’i rikthejë banorët e kryeqytetit në vendstrehime.
Më herët Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se do të intensifikonte sulmet me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, në përgjigje të atyre që i cilësoi si diversione ushtarake të Ukrainës në territorin rus.
Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi Moska pësoi një disfatë të dhembshme simbolike, me humbjen e anijes kryesore të flotës së saj në Detin e Zi.
Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën për plagosjen e shtatë personave dhe për dëmtimin e rreth 100 objekteve të banimit përmes sulmeve nga ajri në Bryansk, një rajon në kufi me Ukrainën. Edhe autoritetet e një rajoni tjetër të Rusisë në kufi me Ukrainën njoftuan të enjten se janë bombarduar nga forcat ukrainase.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë konfirmuar se kanë goditur objektiva në Rusi dhe njoftimet nga autoritetet ruse nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Të enjten zyrtarët ukrainas thanë se forcat e tyre e kanë goditur me raketa luftanijen kryesore ruse. Kryqëzori “Moskva” u fundos ndërsa po lundronte drejt portit, pasi kishte pësuar dëme të mëdha në rrethana që mbeten ende të diskutueshme. Moska tha se anija ishte përfshirë nga një zjarr në bord dhe hodhi poshtë pretendimet se ajo ishte sulmuar. Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë nuk mund të konfirmonin se çfarë e shkaktoi zjarrin.
“Moskva” mund të mbante 16 raketa me vetëdrejtim, me rreze të gjatë veprimi dhe dëmtimi i saj redukton fuqinë ruse të zjarrit në Detin e Zi.
Humbja e anijes luftarake ruse gjatë një agresioni që po shihet tashmë gjerësisht si një gabim historik i Moskës shihet gjithashtu si një humbje simbolike ndërsa trupat ruse po riorganizohen për një ofensivë në Ukrainën lindore.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes një ditë më parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se populli i vendit të tij duhet të jetë krenar që u ka mbijetuar sulmeve 50 ditore, ndërsa pushtuesit rusë, siç tha ai, mendonin se ukrainasit nuk do të rezistonin më shumë se pesë ditë.
Ndërkohë, qyteti port i Mariupolit vazhdon t’i bëjë ende ballë rrethimit tëforcave ruse, shoqëruar me bombardime të pamëshirshme. Qyteti është shndërruar në simbol të rezistencës së vendosur të ukrainasvee. Kanë kaluar më shumë se gjashtë javë që kur trupat ruse e kanë rrethuar qytetin, por forcat ukrainase vazhdojnë të luftojnë kundër një ushtrie jashtëzakonisht më superiore.
Jashtë çdo parashikimi, rezistenca e ukrainasve i ka prishur planet e Moskës, duke bllokuar një numër të madh të forcave ruse dhe duke vonuar fillimin e një ofensive të planifikuar në zemrën industriale të Ukrainës lindore, Donbas. Marrja e Mariupolit do t’i siguronte Moskës një mundësi për të krijuar një korridor tokësor drejt gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.
(Sipas Zërit të Amerikës)