Rusia thotë se është e gatshme të diskutojë me Ukrainën për “neutralitet”

Moskë, 25 shkurt 2022 – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e gatshme të bisedojë me Ukrainën në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti.

Por, Peskov ka treguar se Moska ka vënë kushte. Ai ka thënë se në qendër të bisedimeve duhet të jetë “çmilitarizimi” i Ukrainës dhe marrëveshja  që ajo të jetë “neutrale” ushtarakisht.

Rusia ka kërkuar tash sa kohë që Ukraina të heqë dorë nga synimi që të anëtarësohet në NATO.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar që me presidentin rus, Vladimir Putin, të diskutojë për ndërprerjen e operacioneve ushtarake, por  nuk besohet se ai do të pajtohet të bisedojë për këto kushte të Moskës.

Në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, janë nënshkruar marrëveshjet që parashihnin përfundimin e konfliktit në lindje të Ukrainës, i cili ka nisur më 2014. Por, Putin duket se i ka hedhur poshtë këto marrëveshje, duke e pushtuar Ukrainën.

Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se nuk do të ketë bisedime derisa ushtria ukrainase “t’i ulë armët”.

(r.m.)