Moskë, 6 tetor 2022 – Rusia tha se është “e përkushtuar plotësisht” për të shmangur një konflikt bërthamor. Kjo deklaratë vjen teksa shqetësimet në botë u rritën pas disa deklaratave të bëra së fundmi nga Kremlini, që linin të kuptohej se armët bërthamore ishin opsion nëse lufta në Ukrainë do të përshkallëzohej.
“Federata Ruse plotësisht i përmbahet parimit që të mos lejojë që një luftë bërthamore të nisë… Ne kemi thënë dhe e konfirmojmë këtë çdoherë. Nuk do të kishte fitues në një luftë të tillë dhe një gjë e tillë kurrë nuk duhet të ndodhë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova më 6 tetor.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë në ditët e fundit se ata nuk po bëjnë “blof” me deklaratat e tyre se Moska “ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet ushtarake për të mbrojtur territorin e saj” përfshirë “edhe rajonet që janë bashkuar së fundmi”.
Shumë në Perëndim i kanë kuptuar këto deklarata se Rusia nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.
Sipas doktrinës së ushtrisë ruse, shteti ka të drejtë të përdorë armë bërthamore në rast se ka rrezik për ekzistencën e shtetit.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe muajin e fundit ka shpallur një mobilizim të “pjesshëm ushtarak”, pas humbjeve të pësuara nga forcat e Kievit.
(REL)