Moskë, 25 shtator 2023 – Kremlini tha të hënën se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënoi sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan, të dielën.
“Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve… Gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe, me gjasë, e rrezikshme. Ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në konferencë e rregullt për media, të hënën.
Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko. Ai njoftoi se ambasadori rus i ka dëgjuar “kërkesat” e Serbisë, por nuk ka treguar se cilat janë ato.
“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq në Instagram, pas takimit.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe tre të tjerë u plagosën të dielën, në përleshjet e armatosura me një grup të serbëve të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë të tjerë janë arrestuar.
Rreth 30 pjesëtarë të grupit të serbëve të armatosur kishin vendosur dy kamionë në rrugë afër fshatit Banjskë, ku e kanë pritur dhe sulmuar me armë të ndryshme pjesëtarët e Poliicisë së Kosovës. Pas përleshjes me policinë ata ishin tërhequr dhe ishin barrikaduar në Manastirin e Banjskës dhe në shtëpitë përreth. Gjatë ditës, sulmuesit kanë sulmuar herë pas here policinë, e cila i kishte vënë në rrethim. Në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës e mori kontrollin në manastir dhe në gjithë fshatin.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar ua hodhi serbëve të Kosovës.
(r.m.)