Kiev, 17 mars 2022 – Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës hyri sot në javën e katërt. Forcat ushtarake ruse kryesisht kanë bllokuar jashtë qyteteve të mëdha, prej bga vazhdojnë t’i bombardojnë ato nga distanca, duke shkaktuar një numër të madh viktimash dhe shkatërrime të jashtëzakonshme të ndërtesave, infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarë.
Në qytetin jug-lindor të Mariupolit, i cili vazhdon të mbahet i rrethuar nga trupat ruse, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e një teatri, i cili u qëllua me raketa të mërkurën pasdite. Ndërtesa e teatrit ku ishin strehuar me qindra njerëz, u shkatërrua plotësisht. Autoritet lokale njoftuan sot për të mbijetuar të sulmit raketor, por numri i viktimave mbetet ende i panjohur.
Petro Andrushchenko, zyrtar i Bashkisë, ka thënë se civilët gjendeshin në bodrumin e teatrit, i cili ishte projektuar për t’u bërë ballë sulmeve ajrore.
Avokatja e Popullit e Ukrainës, Ludmyla Denisova, ka thënë se vendstrehimi nuk është shembur nga raketat, prandaj disa nga të strehuarit kanë mbijetuar.
Teatri po përdorej si strehë nga qindra civilë të Mariupolit, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë tri javë luftimesh. Në disa imazhe satelitore të kompanisë amerikane të teknologjisë hapësinore “Maxar” shihet se në dy anë të godinës, para dhe prapa saj, ishte shkruar me shkronja të mëdha në rusisht “Fëmijë”, si parnalajmërim se në godinë po strehoheshin fëmijë.
(Sipas REL dhe Zërit të Amerikës)