Kiev / Moskë, 2 mars 2022 – Rusia ka shtuar fortcat dhe kanë zgjeruar operacionet për pushtimin e Ukrainës. Të mërkurën në mëngjes ka filluar bombardimi me raketa dhe granata i kryeqytetit Kiev dhe qyteteve tjera ukrainase. Në video-regjistrimet e shpërndara në rrjetet sociale shihen ndërtesa të dëmtuara rëndë në periferi të qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv.
Sulmet e forcave ruse po përballen me rezistencë të ashpër të forcave ukrainase.
Një zëdhënës i ministrisë ruse të Mbrojtjes, në Moskë, tha se forcat ruse e kanë marrë nën kontroll Khersonin, qytetin me gati një çerek milionë banorë, në veri të Krimesë, gadishullit të aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Ky qytet që ka një pozitë trategjike anës lumit Dnjepër, është qyteti më i madh ukrainas që ka rënë në duart e forcave ruse. Por, një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se Rusia nuk e kontrollon Khersonin dhe se në rrugët e qytetit pozhvillohen luftime të ashpra.
“Qyteti nuk ka rënë. Pala jonë vazhdon të mbrohet”, tha këshilltari i Zelenskyt, Oleksiy Arestovych.
Qyteti juglindor i Mariupolit vazhdon të bombardohet vazhdimit që nga mbrëmja e të martës. Kryebashkiaku i këtij qyteti tha se në këto rrethana është i pamundur evakuimi i të plagosurve në zona më të sigurta.
Krermlini ka urdhëruar intensifikim të përpjekjeve për pushtimin e kryeqytetit ukrainas, Kievit. Në shenjëstër të raketave dhe të aviacionit rus të martën dhe të mërkurën kanë qenë objektet me interes publik dhe pajisjet e komunikimit. Të martën pasdite Rusia goditi me raketë pirkun e transmetimit të programit televiziv në qendër të Kievit.
Ndërkohë, një autokolonë ushtarake ruse, e gjatë mbi 60 kiometra, që e ka mësyrë Kievin qysh prej të dielën në mbrëmje, po i afrohet kryeqytetit.
Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, i paralajmëroi banorët e kryeqytetit se forcat ruse janë duke lëvizur drejt qytetit dhe u ka bërë thirrje që të qëndrojnë brenda dhe të përgatiten për ta mbrojtur qytetin.
“Armiku po i mbledh forcat afër e më afër. Ka luftime në afërsi të Kievit”, tha Klitschko.
“Ne jemi të përgatitur dhe do ta mbrojmë Kievin. U bëj thirrje banorëve të Kievit që të mos e humbin guximin”, tha ai.
Deri më tani, Kievi u ka rezistuar përpjekjeve ruse për pushtim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një deklaratë për medie, të mërkurën, tha se rreth 6,000 ushtarë rusë janë vrarë në gjashtë ditët e para të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Ai ka thënë se Rusia nuk do të arrijë ta pushtojë vendin e tij me bomba dhe me sulme ajrore.
(Sipas BBC, Euronews dhe Radio Evropa e Lirë)