Rusia vë sanksione për gruan dhe për vajzën e Bidenit

Moskë, 28 qershor 2022 – Rusia ka shtuar në listën e sanksioneve Jill Biden, gruan e presidentit amerikan Joe Biden dhe vajzën e tyre Ashley, si shenjë hakmarrjeje ndaj vendimeve të Uashingtonit kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë përmes një deklarate më 28 qershor se 23 akademikë tjerë dhe zyrtarë amerikanë janë shtuar në listë, duke përfshirë liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe senatorët, Charles Grassley, Kirsten Gillebrand, Susan Collins, Ben Sass, dhe Martin Heinrich.

“Si përgjigje ndaj zgjerimit të sanksioneve amerikane kundër politikanëve dhe figurave publike ruse, 25 shtetas amerikanë janë të përfshirë në ‘listën e ndalimit’. Aty janë edhe senatorët që janë përgjegjës për krijim të narrativës rusofobe, si dhe pjesëtarë të familjes së presidentit Joe Biden”, është thënë në deklaratë.

Personave të sanksionuar u ndalohet hyrja në territorin rus.

Shtetet e Bashkuara janë në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, të nisur më 24 shkurt.

Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë vënë sanksione kundër disa individëve, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe vajzat e tij, ndaj ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe familjes së tij, si dhe ndaj disa oligarkëve të lidhur me Putinin.

Perëndimi ka zbatuar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke ia izoluar rrjetin financiar, më pas duke i ngrirë asetet dhe duke vënë embargo të pjesshme në importet ruse të naftës.

(REL)