Rusia vendos të dërgojë armë bërthamore taktike në Bjellorusi

Minsk / Uashington, 26 maj 2023 – Rusia ka vendosur të shtyjë përpara planin e saj për të zhvendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, konfirmoi lideri bjellorus, i cili deklaroi se kokat e raketave bërthamore ishin tashmë rrugës.

Kjo shënon vendosjen e parë të Kremlinit të bombave të tilla bërthamore përtej kufijve të Rusisë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Departamenti amerikan i Shtetit dënoi planin, por tha se Uashingtoni nuk kishte ndërmend të ndryshonte pozicionin e tij për armët bërthamore strategjike ose nuk kishte parë ndonjë shenjë se Rusia po përgatitej të përdorte një armë bërthamore.

Por, presidenti rus Vladimir Putin thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po zgjerojnë luftën kundër Rusisë që kur Kremlini dërgoi trupat e tij në Ukrainë 15 muaj më parë.

Plani për zhvendosjen bërthamore u njoftua nga Putini në një intervistë me televizionin shtetëror më 25 mars.

“Perëndimi kolektivisht, në thelb, po bën një luftë të padeklaruar kundër vendeve tona”, tha ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, në një takim me homologun e tij bjellorus në Minsk.

“Perëndimi po bën gjithçka që mundet “për të zgjatur dhe përshkallëzuar konfliktin e armatosur në Ukrainë”, tha Shoigu.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka tha se armët taktike bërthamore ishin tashmë në lëvizje në përputhje me një urdhër të nënshkruar nga Putini, megjithëse nuk kishte asnjë konfirmim për këtë nga vetë Kremlini.

“Lëvizja e armëve bërthamore ka filluar tashmë”, u tha Lukashenka gazetarëve në Moskë, ku po merrte pjesë në bisedime me liderë të tjerë të ish-shteteve sovjetike.

I pyetur nëse armët ishin tashmë në Bjellorusi, ai tha: “Ndoshta. Kur të kthehem do të kontrolloj”.

Shoigu konfirmoi se dokumentet që ai nënshkroi në Minsk kishin të bënin me procedurat për ruajtjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller i karakterizoi këto plane si “një shembull tjetër i sjelljes së papërgjegjshme të shfaqur nga Rusia që nga pushtimi i plotë i Ukrainës mbi një vit më parë”.

Miller përsëriti paralajmërimin nga Shtetet e Bashkuara se përdorimi i armëve kimike, biologjike ose bërthamore gjatë konfliktit do të rezultonte në “pasoja të rënda”, pa specifikuar natyrën e këtyre pasojave.

“Unë do të doja të theksoja se ne nuk kemi vërejtur ndonjë bazë që të na shtyjë të ndryshojmë qëndrimin tonë strategjik bërthamor ose ndonjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore”, u tha Miller gazetarëve.

(REL)