Rutte: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën siç duam

Bruksel, 17 tetor 2024 – Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se ai është i vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe se dialogu Kosovë-Serbi nuk po përparon siç do të donte.

Rutte ka thënë se është i kënaqur me përpjekjet e Gjermanisë për t’i afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, siç ishte takimi i Procesit të Berlinit.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe fakti që dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim, nuk po ec përpara siç do të dëshironim. Jam shumë i kënaqur me takimin që u mbajt në Berlin këtë javë nën udhëheqjen e kancelarit Scholz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e di që Gjermania po punon veçanërisht shumë për ta afruar atë grup me BE-në, afër NATO-s, për ata që nuk janë ende në NATO”, ka thënë Rutte, në një prononcim për mediat, të enjten.

Sekretari i NATO-s ka shprehur shqetësimet edhe për përpjekjet e Republikës Serbe për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina. Ai ka thënë se NATO po bën gjithçka për ta mbështetur Ballkanin Perëndimor.

“Sigurisht, jemi të shqetësuar për tensionet dhe projektet secesioniste që ende përpiqen të orientojnë ndarje brenda shoqërisë së Bosnje e Hercegovinës. Pa dyshim, kjo do të jetë në agjendë dhe të jeni të sigurt që bëjmë gjithçka për të mbështetur Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rutte.

Ai ka bërë të ditur se sot (e enjte) do të mbajë takim vetëm me partnerët e NATO-s, përfshirë presidentin e Ukrainës Vlodymyr Zelenskym, ndërsa nesër (e premte) do të takohet me ministrat e Mbrojtjes të 32 shteteve anëtare të Aleancës, në të cilin, siç ka thënë, “do të trajtohen të gjitha çështjet në mënyrë më të gjerë”.

Takimi i nesërm do të jetë i pari i takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ministrash të Mbrojtjes nën udhëheqjen e sekretarit të ri, Mark Rutte.

(r.m.)

Comment

*